Kryebashkiakët e rinj ende larg zyrave

schedule16:05 - 9 Korrik, 2019

schedule 16:05 - 9 Korrik, 2019

Edhe pse numërimi i votave të 30 Qershorit u mbyll brenda 48 orëve, kryetarët e rinj të bashkive nuk do të shkojnë në zyrë deri në fund të muajit. Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi shpjegon për ABC News se shpallja e rezultateve për çdo bashki, do të kalojë më parë në Kolegjin Zgjedhor.

Votat e 30 Qershorit, u numëruan brenda dy ditësh, koha më e shkurtër e historisë së zgjedhjeve tona, por ankimimet dhe vota kundër e Klement Zgurit në shpalljen e rezultateve, do të bëjë që kryetarët e rinj të bashkive të mos shkojnë në zyrë brenda këtij muaji.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi shpjegon se çdo kryetar bashkia fillimisht duhet të konfirmojë fitoren pranë gjykatës së rrethit të tij. Përveç këtyre rregullave zgjedhore, vota kundër e Klement Zgurit që nuk njeh zgjedhjet, bën që çdo vendim i KQZ-së të kalojë detyrimisht në Kolegj.

KQZ po shpall një nga një fituesit e bashkive, por kjo nuk e përshpejton rotacionin e pushteteve. Por a mund të fillojnë punë të zgjedhurit e rinj, përpara 10 gushtit, kur ju mbaron mandati organeve aktuale?

KQZ deri tani ka administruar disa ankimime për rezultatet, ku të paktën 41 ankesa janë regjistruar nga Bindja Demokratike./ABC News Albania 24/7