Ka nisur seanca parlamentare në Itali ku pritet që kryeministri Giuseppe Conte të flasë para deputetëve. Por mediat italiane raportojnë se Conte mund të përshpejtojë gjërat duke dhënë dorëheqjen. Zv/kryeministri dhe lideri i Lëvizjes 5 Yjet Luigi di Maio u shpreh se çdo gjë e ka në dorë presidenti Matarella duke theksuar se Salvini ka shkatërruar çdo gjë.
Nëse Conte, pas fjalës në parlament do të japë dorëheqjen para kreut të shtetit pa shkuar deri tek votimi i mocionit të votëbesimit, Lëvizja 5 Yjet do të shkojë në presidencë për ti kërkuar kreut të shtetit një mundësi për krijimin e një qeverie të re. Në çdo rast rrëzimi i qeverisë aktuale është tashmë një fakt.
Sipas mediave italiane Conte ka përgatitur një fjalim shumë të fortë, duke kritikuar Salvinin, liderin e Legës në koalicion me Lëvizjen 5 Yjet. Menjëherë roli i protagonistit do ti kalojë kreut të shtetit i vetmi që ka të drejtë për të caktuar një rrugëdalje. Qoftë për një rikthim në kutitë e votimit qoftë për krijimin e një mazhorance të re parlamentare./ABC News Albania 24/7