KQZ: Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë mund të shpallen javën tjetër

schedule16:26 - 26 Shkurt, 2021

schedule 16:26 - 26 Shkurt, 2021

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë (KQZ) Valmir Elezi ka thënë të premten se javën tjetër mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Sipas tij të shtunën mund të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve
për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Kjo na bon të mundur që të fillojmë pastaj me numërimin e votave me kusht dhe votave që kanë ardhur me postë. Pas përfundimit këtyre dy proceseve dhe procedurave tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ-ja mund të bëjë shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve. Po besojmë shume që kjo do të mund të bëhet në fillim të javës që vjen”, ka deklaruar ai.

Sa u përket votave me postë, KQZ-ja deri më tani ka shqyrtuar 41 mijë e 236 pako të supozura me fletëvotime.

Prej tyre 48,728 zarfe janë pranuar derisa 18,876 tjera janë refuzuar.

KQZ-ja tashmë ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve, sipas të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 për qind.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë më shumë se 830 mijë persona me të drejtë vote./REL