Kosovë, PDK shkon në zgjedhje të brendshme

schedule20:10 - 1 Mars, 2018

schedule 20:10 - 1 Mars, 2018

PDK, partia që dominon skenën politike të Kosovës, ka njoftuar mbajtjen e reformave dhe zgjedhjeve të brendshme, një proces ky që sipas nënkryetarit Enver Hoxhaj do të çojë përpara proceset e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, gjatë vitit 2018 do t’i nënshtrohet zgjedhjeve dhe reformave të brendshme, të cilat do të kenë ndikim edhe në të ardhmen e Kosovës. Në një konferencë për shtyp në përfundim të mbledhjes së kryesisë, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj ka bërë me dije se proceset në fjalë do të fillojnë së shpejti.

Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK: “Si PDK kemi vendosur që në vitin 2018 të mbajmë zgjedhjet në parti dhe kjo konferencë për shtyp hap procesin zgjedhor, që do të fillojë në javët e ardhshme dhe do të përmbyllet në javët apo muajt e fundit të vitit”.

Hoxhaj ka bërë me dije se procesi zgjedhor dhe ai i reformimit të partisë do të bëhet duke marrë parasysh interesat politike dhe strategjike të Kosovës, në mënyrë që vendi të avancojë.

Enver Hoxhaj: “Në PDK kemi biseduar për dokumente të caktuara politike dhe strategjike që duhet t’i shërbejnë procesit zgjedhor, për një program dhe platformë të re që do të ketë risi zhvillime të reja politike. Një platformë që pas 2 dekadash nga themelimi i PDK-së dhe 1 dekadë pavarësi të shërbejë si nismë e mendimit dhe veprimit për politikën, shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës”.

Sa u takon interesave strategjike, Hoxhaj e ka vënë theksin tek dështimi i ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij, një ditë më parë Kuvendi i Kosovës dështoi të jepte mesazhin përpara lidershipit europian.

Enver Hoxhaj: “Ne mendojmë se ajo që duhet të thuhet për ratifikimin e demarkacionit është thënë. I dimë argumentet, faktet, opinionet, dallimet. Nuk ka nevojë që Kosova të humbasë më kohë apo të dëgjojmë narracione që i kemi dëgjuar në 3 vitet e fundit. Mungesën e vullnetit të deputetëve të Kosovës dhe vizitën e zotit Juncker, vizitë që ndodh një herë në dekadë, ne i shohim si një shans të humbur”./abcnews.al