Kosova “sfidon” pandeminë, në tetor rritje me 35% e numrit të turistëve në Shqipëri

schedule22:53 - 26 Nëntor, 2020

schedule 22:53 - 26 Nëntor, 2020

Koha e mirë dhe mundësitë e pakta të lëvizjes në destinacione të tjera për shkak të pandemisë kanë orientuar turistët e Kosovës drejt Shqipërisë duke shënuar një rritje rekord me 35.3 për qind në muajin e dhjetë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo konfirmon edhe një herë atë qe kane shprehur operatoret se turizmi patriotik ka qene mbështetësi kryesor në këtë vit të vështirë.

Të dhënat zyrtare të Lëvizjes së Shtetasve të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se hyrjet nga Kosova në tetor ishin mbi 124 mijë ndërkohë që një vit më parë 92 mijë. Në total si 10 mujor hyrjet e shtetasve nga Kosova ishin me një rënie 41.6 për qind duke regjistruar një nivel prej 1.22 milionë.

“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Tetor 2020, janë 481.167. Krahasuar me Tetor 2019, ky tregues rezulton me rënie 44,4 %. Në Tetor 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 206.439, krahasuar me Tetor 2019, ky numër ka rënë me 46,7 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në dhjetëmujorin 2020 është 2.328.641, duke rënë me 60,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 .

Rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019” thuhet në dokument.

INSTAT vlerëson se daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit Tetor 2020, janë 485.222 duke shënuar një rënie me 45,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2020 janë 274.126. Krahasuar me Tetor 2019, ky numër ka rënë 44,6 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2020, janë 211.096. Krahasuar me Tetor 2019, ky numër ka rënë 46,3 %.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në dhjetëmujorin 2020, është 2.482.947 duke rënë 49,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në njoftim./monitor/