Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Korçë, policia bën bilancin për periudhën maj-qershor: 65 persona të arrestuar ose ndaluar për vrasje, drogë e vjedhje

schedule10:43 - 17 Korrik, 2026

schedule 10:43 - 17 Korrik, 2026

Policia e Korçës ka bërë bilancin për periudhën maj-qershor.

U evidentuan gjithsej 380 vepra penale, janë zbuluar 376, ose 98.94% e tyre, me 369 autorë, nga të cilët 65 janë arrestuar ose ndaluar, 296 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.

Nga këto, 87 vepra penale, ose rreth 23%, janë krime kundër personit, kryesisht plagosje e lehtë me dashje dhe kanosje. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur 1 vrasje, 4 vrasje të mbetura në tentativë dhe 2 plagosje të rënda me dashje.



Një ndër prioritetet tona ka qenë parandalimi dhe zbulimi i vjedhjeve, si një nga veprat penale që prek drejtpërdrejt qytetarët.

Janë evidentuar 13 vjedhje, nga të cilat 12 janë zbuluar, rezultat që është mbi 2.5 herë më i mirë se objektivi i përcaktuar në fillim të vitit.

Goditja e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve ka qenë gjithashtu prioritet. Janë evidentuar 16 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 22 autorë të proceduar. Paralelisht është punuar intensivisht për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, me kontrolle të përditshme në territor. Është konstatuar një rast në bodrumin e një banese në fshatin Vreshtas, ku u gjetën dhjetëra bimë cannabis në proces tharjeje, si dhe dy raste të tjera me një sasi farash të bimës narkotike cannabis sativa.

Gjatë kësaj periudhe janë kapur 15 persona në kërkim.

Për goditjen e veprimtarisë kriminale janë zhvilluar gjithsej 8 operacione policore, në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit, armëmbajtjes pa leje, vjedhjeve dhe kapjes së personave në kërkim. Si rezultat janë arrestuar 10 persona, 1 është proceduar në gjendje të lirë, 4 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, rreth 5.5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, si dhe pajisje e sende të tjera të përdorura për veprimtari kriminale.

Operacionet e zhvilluara janë: “Vreshtasi”, “Lumalasi”, “Trigger X”, “Dishnica”, “Lozhani”, “Wanted”, operacioni për zbardhjen e një vrasjeje të mbetur në tentativë në Pogradec dhe operacioni “Shop” për goditjen e vjedhjeve.

Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar garantimit të sigurisë në institucionet arsimore. Falë pranisë së vazhdueshme të punonjësve të Policisë dhe bashkëpunimit me drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe prindërit, është bërë i mundur parandalimi i çdo ngjarjeje apo incidenti në ambientet shkollore.

Problematike gjatë kësaj periudhe ka qenë numri i lartë i konflikteve, 510 raste, të cilat përbëjnë premisë për kryerjen e veprave penale kundër personit. Po ashtu janë evidentuar 42 raste të dhunës në familje dhe janë trajtuar 44 raste me urdhër mbrojtjeje.

Në drejtim të sigurisë rrugore janë evidentuar gjithsej 43 vepra penale, nga të cilat 19 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 24 për drejtim të parregullt të automjeteve, me 30 persona të arrestuar dhe 15 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë vendosur gjithsej 8 460 masa administrative, janë pezulluar 45 leje drejtimi, janë sekuestruar 3 mjete dhe janë ndaluar administrativisht 6 mjete.

Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 18 aksidente me pasoja, kanë humbur jetën 5 persona, 1 person është dëmtuar rëndë dhe 20 persona janë dëmtuar lehtë.

Për periudhën në vazhdim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë do të vijojnë punën me prioritet në disa drejtime kryesore, ku bashkëpunimi dhe mbështetja e qytetarëve mbetet një element kyç për arritjen e rezultateve dhe konkretisht në drejtim të:

* Garantimit të rendit dhe sigurisë gjatë sezonit veror turistik.

* Parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

* Bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse për parandalimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror, kryesisht të zjarreve në pyje dhe kullota.

* Goditjen e armëmbajtjes pa leje, jo vetëm të armëve të zjarrit, por edhe të armëve të ftohta, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e krimeve kundër personit kryhen me mjete të tilla.

* Parandalimin e aksidenteve rrugore nëpërmjet kontrolleve me mjete inteligjente si dhe masave ndëshkuese ndaj shkeljeve që përbëjnë burim aksidenti, si tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, parakalimet e gabuara, si dhe parkimi apo qëndrimi i gabuar i mjeteve.

* Marrjes së masave për garantimin e zhvillimit normal të aktiviteteve masive, kulturore, fetare dhe argëtuese që zhvillohen gjatë sezonit veror.

* Bashkëpunimit dhe mbështetjes së autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik dhe kontrollit ushqimor, për parandalimin e rasteve të helmimeve apo problematikave që lidhen me sigurinë ushqimore.

* Parandalimin e ndotjes akustike dhe prishjes së qetësisë publike nga subjektet apo aktivitetet që prodhojnë zhurma mbi nivelet e lejuara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!