Dinamo City vazhdon aventurën e saj europiane, duke siguruar kualifikimin për në raundin e dytë të Conference League. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja realizoi një përmbysje të madhe në sfidën e kthimit, pasi mundi në transfetë 4-1 Astana.
Blutë e kryeqytetit ishin mundur 1-0 në ndeshjen e parë që luajtën në shtëpi.
Ky detaj e bënte të vështirë kualifikimin, por dinamovitët hodhën poshtë këto pritshmëri.
Vendasit shënuan të parët në minutën e 23-të me 11 metërsh, ndërsa u kthyen në pushimin e sfidës me epërsinë minimale.
Në fraksionin e dytë erdhi edhe përmbysja e skuadrës shqiptare, e ndihmuar edhe nga kartoni i kuq i Kuzukolovas, që la rivalët me dhjetë lojtarë në fushë.
Dita me 11 metërsh në minutën e 50 barazoi shifrat.
Më pas Hekuran Berisha kaloi në epërsi Dinamon, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm të dy sfidave në kohën e rregullt.
Në shtesë, të besuarit e Ilir Dajës plotësuan triumfin dhe kualifikimin me dy gola të tjerë, që mbajnë firmën e Lorenco Vilës dhe Koma.
Në raundin tjetër të Conference League, Dinamo City do të luajë kundër sllovenëve të Aluminj. Ndeshja e vajtjes do ta luajë në transfertë më 23 korrik, ndërsa atë të kthimit në shtëpi një javë më pas.
I ndryshëm diskutimi për Elbasanin. Skuadra e tjetër shqiptare i thotë lamtumirë turneut europian, pasi ishte e pafat në transfertën kundër Bate Borisov.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviç u ndal në shifrat 0-0 në sfidën e kthimit, Më pas në goditjet e penalltive u dorëzua 5-4 duke mbyllur përpara kohe aventurën e saj në Kupat e Europës./abcnews.al



