Konferenca e Kryetarëve: Të enjten 5 orë debat për shkarkimin e Metës

schedule10:03 - 11 Qershor, 2019

schedule 10:03 - 11 Qershor, 2019

Nesër Kuvendi do të debatojë për 5 orë mbi kërkesën për mocion me debat të paraqitur nga grupi parlamentar socialist për shkarkimin e Presidentit Meta. Në këtë projektrezolutë theksohet se Kushtetuta dhe Kodi Elektoral nuk i njohin Presidentit kompetencën e anulimit të datës së zgjedhjeve. Ndaj akti i djeshëm i Kreut të Shtetit është absolutisht i pavlefshëm.

Nxiton mazhoranca me procedurat që kërkohen për të shkarkuar Presidentin e Republikës.

Një ditë pas dorëzimit në Kuvend të kërkesës për mocion me debat nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,Taulant Balla,  kryeparlamentari Gramoz Ruçi mblodhi Konferencën e Kryetarëve.

Me konsensus miratuan që të vendoset pikë e parë të rendit të ditës në seancën plenare të së enjtes debati për anullimin e zgjedhjeve nga presidenti që është përcaktuar të zgjasë rreth 5 orë.

Pa humbur kohë projekt në faqjen e kuvendit publikohet edhe drafti i projekt rezolutës që pritet të miratohet të enjten nga deputetët.

Në të akti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit të datës së zgjedhjeve konsiderohet  një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

“Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anulluar zgjedhjet;

Akti i Presidentit, në mënyrë të kundërligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, ashtu si është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 qershor 2019”.

Mazhoranca pretendon se ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejt në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor.

“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit është një absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”.

Kuvendi mbështet qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor duke e inkurajuar që të vijojë të mbrojë pacenueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor.

Ndërsa të gjithë organeve publike, kuvendi i bën thirrje që të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit dhe të vazhdojnë punën.

Nëpërmjet Projekt rezolutës që do të prezantohet të enjten në parlament Kuvendi i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

/ABC News Albania 24/7