Komisioni rrëzon dekretin e Presidentit për lojrat e fatit

schedule14:37 - 10 Shtator, 2018

schedule 14:37 - 10 Shtator, 2018

Komisioni i Ekonomisë ka votuar kundër dekretit të presidentit Ilir Meta për ligjin e lojrave të fatit. Ky është një lajm pozitiv për ministrin e financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj i cili njoftoi se nga një janari i vitit 2019 kazinotë do të zhvendosen në zona të pabanuara dhe bastet sportive do të respektojnë një distancë prej 200 metrash nga njëri-tjetri.

Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë vendosën të rrëzojnë dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për lojrat e fatit.

U hodhën poshtë kështu argumentat e kreut të shtetit se mbështetja e bizneseve në fushën e e lojërave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, ndërsa ka efekt negativ në buxhet. Ministri i Financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj sqaroi se një janari I vitit të ardhshëm shënon dhe fundin e kazionove në zonat e banuara.

“Në 1 janar dua ta ndaj me qytetarët, dua ta ndaj me kompanitë, dua ta ndaj dhe me ju nuk do të ketë më kazino elektronike, në bazë të ligjit kazinotë elektronike do të largohen në zona ku me ligj do të lejohet ky aktivitet që nuk ka lidhje me zonat e urbanizuara. E dyta, në bazë të definicionit të ligjit do të ushtrohen klauzolat e rrallimit të zyrave të basteve, 1 në 200 metra”.

Me këtë vendim ministri Ahmetaj kërkoi tu përgjigjej edhe akuzave se qeveria po mbron lojrat e fatit.

“I kemi rritur taksimin, Fatos Nano e la me 20, Saliu e bëri me 10 ne po i nxjerrim jashtë qyteteve”.

Mungesën e opozitës u munduan ta mbushin deputetët e mazhorancës.

Braçe: Duam që të jemi sa më të qartë transparentë që mos dalin mediat dhe të thonë që i hoqën nga qyteti dhe i çuan në fshat.

Ahmetaj: Ne fshatin dhe qytetin i quajmë zona urbane. Do jenë larg zonave të banuara, larg, larg.

Braçe: Jam shumë i qartë

Pëllumbi: Sapo lexova në portal që Ahmetaj mbron lojërat e fatit.

Ahmetaj: Unë nuk merrem me protalet, ai aty që është kryetari merret me detyrën, ju me detyrën. Unë po them para qytetarëve që po fillojmë pastrimin e qyteteve nga ky fenomen”. /abcnews.al