Klimë e ftohtë në marrëdhëniet Tiranë-Athinë

schedule14:14 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 14:14 - 28 Dhjetor, 2018

Pas një serie takimesh dypalëshe në rangje të larta diplomatike, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, finalizimi i negociatave mes Athinës dhe Tiranës ka mbetur pezull. Një burim i lartë diplomatik në Greqi tha se pas vrasjes së Kacifas në Bularat, çdo gjë ka ngrirë.

Marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës po përjetojnë një periudhë ftohjeje, pas ngjarjeve të 28 tetorit në Bularat. Prej atëherë nuk po duken shenja gatishmërie, nga asnjëra palë, që kjo klime të kapërcehet.

“Ne po përgatiteshim të finalizonim negocitatat e të festonim arritjen e marrëveshjes. Por ndodhi incidenti Katsifas dhe çdo gjë ndaloi”, tha për ABC News në Athinë, një burim shumë i lartë diplomatik.

I njëjti burim tha se i vetmi kontakt qeveritar pas 28 tetorit, ka qenë një takim i ministrit alternant të punëve të jashtme Jorgos Katrugalos, me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, në kuadër të ministeralit të NATO-s, muajin e kaluar. “Ishte një takim tepër i ftohtë dhe i ngurtë”, shtoi burimi.

Ndërkaq, analisti i çështjeve diplomatike, Nikolas Zirganos, thotë se të dy palët duhet të rifillojnë negociatat, me synimin që t’i finalizojnë me sukses ato.

Zirganos: “Unë besoj se u humb momentumi në marrëdhëniet greko-shqiptare. Ndërsa kishim rënë dakord edhe për zonat ekskluzive ekonomike, edhe për ligjin e luftës – domethënë ishte mbyllur tërësia e problemeve kryesore – aty dikush shtypi butonin “pauzë”. Dhe atë vrull që kishin, atë predispozicion pozitiv që u ndërpre, unë e konsideroj shumë të rëndësishëm. Duhet të rigjejnë ritmin e të startojnë sërish”.

Burime  diplomatike, por edhe gazetarë ne Athine me njohje të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, nuk jane në gjendje të thonë nëse mund të nisin përpjekjet për zhbllokimin e ngërçit midis Athinës dhe Tiranës dhe kur  mund te ndodhe kjo. /abcnews.al