Kastelorizo, shkëndija e zjarrit greko-turk

schedule21:15 - 23 Shtator, 2020

schedule 21:15 - 23 Shtator, 2020

Nga Linda Karadaku

Kastelorizo, më i largëti nga të gjithë ishujt grekë, ndodhet 125 km në lindje të Rodosit, por vetëm 2 km larg Kashit, në Bregun Lycian të Turqisë.

Emri zyrtar është Megisti, që ironikisht do të thotë “më i madhi”, megjithëse ishulli është me të vërtetë i vogël, me përmasa vetëm rreth 12 km2.

Sidoqoftë, është më i madhi brenda arkipelagut të vogël të cilit i përket.

Turqit e quajnë ishullin Meis, arabët Majas ndërsa emri i lashtë është Megisti. Kastelorizo ka pak qindra banorë, megjithatë është një ishull i vogël dhe i bukur në Dodekanez, vetëm disa qindra jarde larg bregdetit turk.

Të gjitha mallrat për të cilat kanë nevojë banorët e ishullit, duhet të transportohen në rrugën e gjatë nga Rodosi ose nga Greqia kontinentale. Kastelorizo është më në lindje nga të gjithë ishujt grekë. Aty mbaron Evropa dhe fillon Azia.

Qyteti i tij i vogël port, vendbanimi i vetëm në ishull, me shtëpitë neoklasike, është një prej porteve më të mira në Mesdheun Lindor.

Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, Kastellorizo, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane, ishte një vend i pasur me mbi 10,000 banorë, shumë prej të cilëve merreshin me tregti.

Ishulli u granatua gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u pushtua nga francezët nga 1815 deri në 1921, kur ra nën kontrollin e Italisë si pjesë e Dodekanezit italian.

Në 1943, në të zbarkuan komandot britanikë, të cilët evakuuan të gjithë popullsinë e tij për në Egjipt për t’i mbrojtur nga sulmet ajrore gjermane.

Shumica e tyre nuk u kthyen, duke pranuar ofertën britanike për të emigruar në Australi.

Gjatë luftës së dytë botërore, kështjella e ishullit u bombardua.

Kastelorizo, së bashku me pjesën tjetër të Dodekanezit, u bë pjesë e Greqisë në 1947. Ishulli ka një histori të gjatë pushtimesh.

Në antikitet ishte pjesë e Rodosit, më pas pjesë e Perandorisë Bizantine ndërsa në Mesjetë kalon nga dora në dorë, nga Bizanti tek Kalorësit e Shën Gjonit, napoletanët, venedikasit dhe osmanët.

Turqia ka njoftuar se anija “Oruc Reis” do të nisë së shpejti shpimet në kërkimit të gazit natyror pranë ishullit grek të Kastelorizo. Qeveria greke ka bërë të qartë se shpime të tilla nuk do të tolerohen, sepse ato do të zhvillohen në territorin grek.

Në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtën Detare Athina pretendon që zona prej 200 miljesh detare si pjesë e Zonës Ekskluzive Ekonomike vlen edhe për ishujt e vegjël që i takojnë Greqisë, si p.sh. ishulli Kastelorizo, që gjendet më shumë se 500 kilometra larg Athinës por afër bregdetit të Turqisë. Kurse Turqia nuk e pranon këtë pretendim.

Kastelorizo njihet në botën e kinemasë dhe muzikës dhe vecanërisht dy filma të xhiruar atje e kanë bërë të famshëm.  “Mediterraneo”, një film i vitit 1991 i cili u xhirua në ishull është një film komedi-dramë italiane e luftës e drejtuar nga Gabriele Salvatores dhe shkruar nga Enzo Monteleone.

Ngjarjet e filmit janë të luftës së dytë botërore dhe bëhet fjalë për një grup ushtarësh italianë të cilët bllokohen në një ishull grek. Filmi fitoi Çmimin e Akademisë për Filmin më të Mirë të Huaj në 1992.

Por para tij, ishulli ishte bërë i famshëm edhe me një film tjetër, i xhiruar në vitin 1961 me titullin “The Guns of Navarone,”, “Armët e Navarones”, i cili flet për një grup komandosh me mision në ishull gjatë luftës së dytë botërore.

The Guns of Navarone është një film luftarak aventuresk epik britaniko-amerikan i vitit 1961, i drejtuar nga J. Lee Thompson. Skenari i Carl Foreman u bazua në romanin me të njëjtin emër të Alistair MacLean.

Në film interpretojnë Gregory Peck, David Niven dhe Anthony Quinn, së bashku me Stanley Baker, Anthony Quayle, Irene Papas, Gia Scala dhe James Darren. Në të bëhet fjalë për përpjekjet e një njësie komando aleate për të shkatërruar një kështjellë të mbajtur nga gjermanët dhe që kërcënon anijet aleate në Detin Egje.

Kastelorizo i ka dhënë emrin edhe një instrumentaleje të David Gilmour të quajtur “Castellorizon” nga albumi i tij “Në një ishull”, i vitit 2006.

Ishulli u bë përsëri i famshëm këtë vit, por për arsye krejt të tjera dhe aspak pozitive.

Kastelorizo është tani emri i tensioneve dhe konfliktit të ri midis Turqisë dhe Greqisë.

Turqia dërgoi anijen “Oruc Reis” për të nisur shpimet për kërkimin e gazit natyror pranë Kastelorizos.

Qeveria greke u kundërpërgjigj duke thënë se kjo nuk do të tolerohet sepse ato bëhen në territorin grek.

Bazuar në Konventën Ndërkombëtare për Detin, Athina pretendon që zona prej 200 miljesh detare si pjesë e Zonës Ekskluzive Ekonomike vlen edhe për ishujt e vegjël si Kastelorizo. Por problemi i ishullit nuk është thjeshtë ekonomik.

Turqia pretendon se Kastelorizo po militarizohet dhe vizita e presidentes greke ne ishull, vetëm i shtoi akuzat.

Sipas Traktatit të Paqes të Parisit të vitit 1947 dhe nenit 14 që ka të bëjë me kufijtë Greqi-Itali, Kastellorizo duhet të mbahet në një status të demilitarizuar.

“Italia me këtë dokument i jep Greqisë në sovranitet të plotë Ishujt Dodekanezë të treguar më poshtë, përkatësisht Stampalia (Astropalia), Rodos (Rodos), Calki (Kharki), Scarpanto, Casos (Casso), Piscopis (Tilos), Misiros (Nisyros), Calimnos ( Kalymnos), Leros, Patmos, Lipsos (Lipso), Simi (Symi), Cos (Kos) dhe Castellorizo (Kastellorizo), si dhe ishujt ngjitur. Këto ishuj do të jenë dhe do të mbeten të demilitarizuara.”

Ministria e Jashtme turke ka reaguar ndaj atyre që i konsideron përpjekje të Greqisë për të militarizuar ishullin.

Ministria e jashtme greke: “Ne hedhim poshtë përpjekjet e paligjshme të ndryshimeve në statusin e ishullit. Ne gjithashtu nënvizojmë se Turqia nuk do të lejojë një provokim të tillë në brigjet e saj.”

Kastellorizo është vetëm 2 kilometra larg nga bregu mesdhetar turk ndërkohë që ka një distancë prej 600 kilometrash nga pjesa kontinentale greke.

Dodekanezet janë një zinxhir prej dymbëdhjetë ishujsh nën zotërimin e Greqisë, përfshirë Rodosin, një ishull i njohur me një vendndodhje të rëndësishme strategjike.

Që nga koha kur u nënshkrua traktati midis dy vendeve, ishujt e Egjeut kanë qenë vazhdimisht mollë sherri për Turqinë dhe Greqinë, duke I çuar herë pas herë deri në prag të luftës.

Rezervat e pasura të gazit të zbuluara në Mesdheun lindor dhe mosmarrëveshja mbi të drejtat detare, ringriti tensionet. Ankaraja, bazuar në një marrëveshjeje detare me Libinë, thotë se ka të drejtë të eksplorojë dhe të nxjerrë gaz nga disa zona të Mesdheut.

Por nga ana tjetër, Greqia ka nënshkruar një marrëveshje me Egjiptin për “përkufizimin e juridiksionit detar”.

Mitsotakis: “Marrëveshja e zonës detare Greko-Egjiptiane e nënshkruar sot krijon një realitet të ri në Mesdheun Lindor dhe rikthen legalitetin në rajon. U deshën 15 vjet negociata për të përfunduar me një marrëveshje që respekton të Drejtën Ndërkombëtare që njeh të gjitha të drejtat e ishujve grekë në zonat e tyre detare “.

Mitsotakis tha se marrëveshja ishte e dobishme për të dy vendet dhe se rivendoste rendin ligjor që ishte prishur për shkak të asaj që ai e quajti memorandum i paligjshëm dhe i pabazë turko-libian mbi zonat detare.

Por ministria e jashtme turke e cilësoi marrëveshjen të pavlefshme për Turqinë dhe deklaroi se zona ndodhet brenda platformës kontinentale turke të deklaruar edhe pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ministria e jashtme turke: “Egjipti, i cili hoqi dorë nga një sipërfaqe prej 11.500 km2 me të ashtuquajturën marrëveshje që nënshkroi me administratën grekoqipriote në vitin 2003, me këtë marrëveshje përsëri do të jetë në humbje në kurriz të popullit egjiptian. Me anë të kësaj të ashtuquajtur marrëveshje gjithashtu bëhen përpjekje për të uzurpuar të drejtat e Libisë. Padyshim që Turqia nuk do të lejojë asnjë aktivitet në zonën në fjalë dhe me vendosmëri do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme, si dhe ato të qipriotëve turq në Mesdheun Lindor”.

Por Turqia i kishte bërë më parë lëvizjet e saj në Mesdheun Lindor duke nënshkruar një marrëveshje detare me qeverinë e Libisë me qendër në Tripoli, duke çuar sinjale të qarta për shtetet e tjera bregdetare në rajon se loja e gazit nuk do të luhet pa miratimin e Ankarasë.

Erdogan: “Aktorët e tjerë ndërkombëtarë nuk mund të kryejnë veprimtari kërkimore në zonat e shënuara në memorandumin [turko-libian]. Qipriotët Grekë, Egjipti, Greqia dhe Izraeli nuk mund të krijojnë një linjë transmetimi të gazit natyror pa miratimin e Turqisë”.

Në fakt, marrëveshja Athinë-Kajro u pa gjerësisht si përgjigje ndaj marrëveshjeje turko-libiane të nënshkruar në 2019-n lidhur me depozitat e mëdha nënujore të hidrokarbureve.

Sipas traktatit të nënshkruar, Egjipti dhe Greqia do të kërkojnë përfitime maksimale nga burimet natyrore të disponueshme në një zonë ekskluzive detare. Një marrëveshje e ngjashme është arritur mes Italisë dhe Greqisë.

Mosmarrëveshja mbi kufijtë detarë të Turqisë me Greqinë dhe Qipron si dhe të drejtat e shpimit në Mesdheun lindor, vijnë pas mosmarrëveshjesh të tjera të mëdha midis Turqisë dhe aleatëve të saj të NATO-s, përfshirë çështjen e refugjatëve sirianë, inkursionet ushtarake turke në Sirinë veriore dhe në Libi, si dhe blerjen nga Turqia të raketave ruse tokë-ajër.

Ndoshta përshkrimin më të saktë të asaj që po ndodh në Mesdhe e ka bërë ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili tha se ngjan me një “lojë me zjarrin” ku “çdo shkëndijë e vogël mund të çojë në katastrofë”./abcnews.al