2 mijë familje në të gjithë vendin pritet të përfitojnë nga procesi i privatizimit të banesave ku jetojnë prej dekadash në ish-konvikte dhe godina shtetërore. Vendimi i fundit i Qeverisë Shqiptare u prezantua nga Zv.kryeministrja Albana Koçiu gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative numër 6 në kryeqytet, një nga zonat që prek kjo nismë.
“Është një vendim i marrë javën që kaloi, që i hap rrugë procesit të privatizimit. Vetëm në Njësinë 6 përfitojnë 130 familje, ndërsa në të gjithë vendin rreth 2 mijë familje…”
Përmes këtij vendimi, familjeve u hapet rruga për të siguruar dokumentet e pronësisë për apartamentet ku jetojnë prej vitesh. Procedurat do të kryhen pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe bashkive perkatese, ndërsa qytetarët duhet të paraqesin dokumentacionin për t’u bërë pjesë e procesit.
“Në e-Albania duhet të tërhiqen dokumentet, si kontratat apo librezat e ujit dhe energjisë elektrike…”
Procesi përfshin banorët e ish-konvikteve të Qytetit të Nxënësve, Pallatit të Beqarëve dhe godinave të tjera shtetërore të kthyera ndër vite në banesa për qytetarët.
Sipas Zv.kryeministres Koçiu, ky proces i jep zgjidhje një kërkese të kahershme të komunitetit dhe synon t’u japë siguri ligjore familjeve që prej vitesh banojnë në këto objekte shtetërore./abcnews.al


