KUKËS- Edhe pse po i afrohet të nëntëdhjetave, sfidon moshën me aktivitetin e tij fizik e mendor. Zylfi Tola e ka nisur karrierën në vitet 50 në Buzëmadhe, si mësues e drejtues shkolle. Në vitin 1959 fitoi konkursin si aktor në Balshoi, teatër në Moskë, por për shkaqe familjare, thotë se nuk shkoi.
Për Zylfiun, mosha nuk ka kufi. Ndihet mjaft mirë për karrierën dhe për atë se çfarë ka bërë në 88 vite. Me Radio Kukësin ka patur një bashkëpunim të hershëm, që në themelimin e asaj radio në 1959 duke përgatitur materiale radiofonike, kronika e reportazhe.
Zylfiu e ka pasion natyrën e bjeshkët. Tregon se si i ka ngjitur majat e maleve anekënd Shqipërisë.
Thotë se këtë shëndet e gëzon falë natyrës dhe përkushtimit të saj. Në Buzëmadhen e bjeshkëve të Kukësit ka ndërtuar shtëpinë e tij, aty ku kalon tre muajt e verës.
Gazetari Zylfi Tola sapo ka nxjerrë nga botimi librin e tij të dytë, një libër, i cili autori rrëfen e përshkruan jetën në fshatin e lindjes, Buzëmadhe, por edhe gjithë veprimtarinë e tij 88-vjeçare.
I gjithë libri prej 500 faqesh është ilustruar me fotografi që janë kronologji e kohës, falë angazhimit të tij si redaktor i gazetës “Kukësi i Ri”.
Libri në fjalë është I dyti për gazetarin Zylfi Tola, i cili siç thotë ka vendosur të mos e lërë as aktivitetin fizik, por as të shkruarën, leximin dhe fotografinë.