Deputeti i Partisë Socialiste, Erjo Mile, deklaroi se reformat e ndërmarra për procesin e integrimit europian kanë qenë të domosdoshme, pavarësisht kostove dhe pakënaqësive që kanë sjellë.
Në një intervistë në studio, Mile u shpreh se ka qenë vullneti i PS dhe i Ramës për të çuar përpara këto reforma.
Ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të rrisë ritmin e miratimit të ligjeve përafruese me të BE-së.
“Ka qenë vullneti i PS-së dhe Ramës për ta realizuar reformën, edhe nga kostot që do të shkaktoheshin, ishte një e mirë e domosdoshme për vendin. Çdo reformë që kemi marrë ka sjellë pakënaqësitë e veta, por të gjitha kanë qenë për të mirën e Shqipërisë, për integrimin, dhe nuk jemi trembur asnjëherë.
Sot, Parlamenti i Shqipërisë është një institucion i ngarkuar, vetë kapitujt janë standarde të caktuara që i vendos BE-ja dhe një shtet që aderon të jetë pjesë duhet t’i arrijë. Do t’i arrijë duke ndryshuar legjislacionin, ne jemi të gatshëm për ta bërë dhe Parlamenti është gati duke miratuar ligje përafruese me BE-në dhe duhet ta rrisim ritmin, sepse kjo valë që ka hapur Europa duhet të kapet, megjithëse nuk kemi mbështetjen e opozitës.”



