Kaosi tek njësia nr.1, reagon kryebashkiaku Veliaj në ABC News: S’ka kamatë vonesë për ujin, evitoni dyndjet

schedule11:21 - 26 Mars, 2020

schedule 11:21 - 26 Mars, 2020

Mëngjesin e sotëm tek njësia nr.1 qytetarë, të moshuar, me aftësi të kufizuara, të sapoliruar nga burgu dhe të reja kanë zënë radhë për të marrë ndihmat duke pasur edhe përplasje me punonjëset e bashkisë.

Në grumbullimin e tyre as që bëhej fjalë për të respektuar masat e sigurisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

ABC News raportoi live këtë gjendje kaotike dhe të rrezikshme për situatën e pandemisë që mbërthyer vendin.

Pas raportimit live të gazetares Esiona Konomi për ABC News, ka reaguar kryebashkiaku Erion Veliaj në një lidhje telefonike direkt në studio me gazetaren Juli Xhokaxhi.

Në këtë lidhje telefonike Veliaj tha se Bashkia i ka listat e familjeve në nevojë dhe sipas tyre po operon për shpërndarjen e ndihmave.

Ndërkohë Veliaj deklaroi se qytetarët nuk kanë pse të dynden për të kryer pagesat e ujit pranë arkave të ujësjellësit pasi nuk do të aplikohen kamatëvonesat.

Në këtë mënyrë qytetarët mund ti kryejnë pagesat e ujit pa krijuar dyndje.

“Ka 10 ditë që kemi deklaruar, të paktën për ujin që menaxhon bashkia e Tiranës, pagesat nuk kanë kamatëvonese. Pra faturën e Shkurtit mund ta paguash në Prill, në mars, në qershor, nuk ka pikë kamatëvonese. Nuk do të thotë të shkojnë me vrapo në fund të muajit për të paguar ujin. Ky nuk është momenti për tu dyndur për të kryer pagesat. Qëndrimi në shtëpi na vlen më shumë në këtë situatë, çështjen e pagesave kemi kohë ta zgjidhim”, tha Veliaj.

Ndërkohë më herët është njoftuar se edhe për pagesat e energjisë elektrike nuk do të ketë kamatvonesë.

Qytetarët mund të kryejnë pagesat mujore edhe më pas pa kamatvonesë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!