35 milionë euro fitoi Shqipëria nga koncerti i Kanye West. Ministri i Turizmit, Sportit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, zbuloi në konferencë për shtyp se koncerti i reperit amerikan në Eagle Stadium në Kashar tejkaloi rreth 9 herë investimin prej 4.2 milionë euro të qeverisë për të shpëtuar eventin më 11 korrik.
Blendi Gonxhja: Mbi 23 mijë të huaj ishin të pranishëm, në atë planet, në atë fushë magnetike prej 60 mijë spektatorësh, që ka sjellë para në qarkullim në Shqipëri rreth 35 milionë euro. Nga këto, vetëm nga taksat kemi tejkaluar atë investim që kemi bërë, për punë pak ditësh. Ekonomia është bukë, ekonomia e eventeve është bukë, nuk është qejf, teka, aheng, gallatë, asgjë tjetër veç ndihme për të bërë këtë, por kishim klikime mbi 115 herë më shumë për Shqipërinë, klikime që nisën sa u lançua eventi. Eventi gjithashtu sjell rekomandim, promovim ndërkombëtar.
Pas Kanye West, ardhja e këngëtares Jennifer Lopez u pezullua për shkak se kërkoi garanci 2 milionë euro për shkak të protestave. Por Gonxhja paralajmëroi se këngëtarë të tjerë me famë botërore do të zbarkojnë në Shqipëri.
Blendi Gonxhja: Ne kemi negociata me këngëtarë, produksione të famshme ndërkombëtare, për të qenë pjesë e kalendarit tonë artistik e kulturor, do sjellë prestigj ndërkombëtar dhe ekonomi të madhe për Shqipërinë. Tani e kemi më të lehtë, ata që do vijnë, do shohin koncertin e Kanye West si shembull.
Gonxhja akuzoi protestat dhe eskalimin e tyre në dhunë si shkakun kryesor të rënies drastike të turizmit gjatë muajit qershor në Shqipëri, duke përmendur edhe shifrat.
Blendi Gonxhja: Jemi i njëjti vend si vjet, si këtë vit, dhe faktet janë kokëfortë. Nuk mundet që deri në maj të vijmë me kreshendo 8.2% krahasim me vitin e kaluar, ishte 16% më shumë deri në maj sesa maji i vitit të kaluar, në rritjen e vitit të kaluar, s’ka mundësi që në qershor të bjerë në 1.6% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Në mënyrë të befasishme rënia, dhe s’ka mundësi të mos ketë lidhje me situatën politike dhe protestën. Nuk ka konotacion, t’i hyjmë në hak protestës, ne e dimë që turizmi është shumë i ndjeshëm, konkurrues. Nëse merr një perceptim, nga një postim i ekzagjeruar, unë kam folur për këtë. Ngjarjet amplifikohen, nga dhuna te një perimetër policor, që detyrohet të forcohet për shkak të sendeve të forta, gurë e pllaka, kur kjo përballje vjen në fotografi të këtij dramaticiteti, ata që na shohin në mediume online, apo rrjete sociale, kuptohet që thonë, jo unë para Shqipërisë zgjedh Malin e Zi, apo Greqinë.
Si provë, Gonxhja përmendi edhe sulmin me review negative nga profile false ndaj hoteleve dhe restoranteve në Shqipëri.
Blendi Gonxhja: Deri patëm edhe tentativa të papërgjegjshme, të një sulmi ndaj subjekteve dhe ekonomisë së mikpritjes, strukturave akomoduese nga më të mirat që kemi në Shqipëri. Shkon dhe tenton të dalë çdo lloj logjike, protesta është protestë, duhet të respektojë të drejtat. Shembull morëm koncertin. Ka qytetarë që duan koncert, ka që duan kafe, ka restorant, ka në protestë. Imagjinoni në një restorant, me një të huaj, t’ju thotë një grup njerëzish, t’ju thonë: turp që hani, që pini, servila. Si ndiheni ju?
Në këtë konferencë, Gonxhja zbuloi se qeveria ka miratuar strategjinë e re për kulturën deri në vitin 2030. Synohet që financimi për kulturën në Shqipëri të kapë nivelet deri në 1.2% të PBB-së, duke arritur mesataren evropiane, në mënyrë që brenda 5 viteve Shqipëria të kthehet në qendër kulturore të Ballkanit dhe Evropës.


