Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi se buxheti i vitit 2027 është historik dhe përbën sfidë për mazhorancën.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Gonxhja u shpreh se ky buxhet, ka rritje me 3.5 përqind për turizmin, krahasuar me një vit më parë.
Ndër të tjera, Gonxhja tha se do të ketë vëmendje të shtuar për trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike, për të mos humbur vlerat e historisë.
“Ne duhet të maksimizojmë mirëqeverisjen e mundshme të buxhetit. E them me kënaqësi që eksperienca e këtij viti, ka treguar se ka potencial që po shpaloset. Ky është buxheti i parë i kësaj ministrie. Duhet të kemi rezultat sa më të lartë. Brenda kësaj lufte për buxhet, të gjithë ministrat luftojnë, është e vështirë, duhet të jemi kreativë, duhet të jemi efiçentë. Buxheti vjen me 3.5 përqind rritje. Ne marrim si matës janarin e vitit të shkuar. Ka financim 80 përqind më shumë për trashëgiminë kulturore. Kemi shumë projekte, nga njëra anë rijetëzojmë kulla, po punojmë për ndërhyrjen, në Gjirokastër dhe Shkodër, të shpëtimit të banesave, që janë lënë pa zot, është skemë ku shteti kryen punimet, i jep mundësinë pronarëve të jenë pjesë e investimit.
Ne nuk mund të presim më, që vlerat e historisë apo traditës të humbasin në vende që mund të na kushtojë shumë shtrenjtë. Projekte na presin në shumë site arkeologjike. Do të kthejmë dinjitetin e Shtëpisë së Flamurit në Vlorë, kemi muzeun e artit bizantin. Rrezikojmë t’i humbim dhe duhet t’i kthejmë jugut një hapësirë të re për artin bizantin. Është listë e gjatë. Nuk mund të humbim teknikët e restaurimeve, punojmë fort për rritjen e kapaciteteve me 106 punonjës të ri. Me sa mundet, shteti ka mbështetur nevojat kryesore, prioritetet kryesore. Investimi do na kthehet me më shumë vizitorë”, theksoi ai./abcnews.al


