Jashtë Kuvendit, Pandeli Majko: Mirupafshim, kërkoj leje për t’u ulur në aeroport…

schedule17:21 - 30 Prill, 2021

schedule 17:21 - 30 Prill, 2021

Ministri i Diasporës, njëkohësisht deputet aktual i Kuvendit Pandeli Majko nuk arriti që të fitonte mandatin në 25 Prill. Ish-kryeministri nuk do të jetë pjesë e legjislaturës për 4 vitet e ardhshme.

Në një postim në Facebook ai shkruan se matematika e rendit në 10 kandidaturat më të votuara në qarkun e Tiranës, por do të mbetet jashtë dhe për këtë fajëson sistemin elektoral.

“Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston.

Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë.

Ju falenderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste” thotë ai.

Më herët gjatë fushatës Majko ishte shprehur se do të tërhiqej nga politika nëse nuk fitonte, po tani? Veterani i PS-së mban fjalën dhe për të thënë mirupafshim zgjedh një shprehje të të atit, ish-pilot.

“Sic do të thoshte im atë ndjesë pastë,… “19-ta kërkon leje për tu ulur në aeroport!” Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam. Shpresoj tu kem dhënë “everything”! Mirupafshim! Pandi Tiranë 30 Prill 2021” deklaron Majko./ db/ Abcnews.al