Itali, dështon raundi i tretë i negociatave

schedule22:50 - 7 Maj, 2018

schedule 22:50 - 7 Maj, 2018

Bisedimet ndërpartiake për krijimin e qeverisë në Itali kanë dështuar, duke ia lënë vendin zgjedhjeve të reja, ose një qeverie teknike deri në fund të vitit. Presidenti Sergio Mattarella deklaroi të mërkurën se këto janë dy opsionet e vetme të mbetura, pas dështimit të tre raundeve të negociatave.

Asnjë parti dhe asnjë aleancë nuk fitoi shumicën në zgjedhjet e 4 marsit. Partitë më influente, Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut mbështesin përsëritjen e procesit elektoral në korrik, por fjala e fundit i takon kreut të shtetit.

Pas raundit të fundit të bisedimeve që synonin formimin e një koalicionit, partia anti-estabilishment 5 Yjet nuk ra dakord të bashkohej me grupimin e djathtë, të udhëhequr nga Liga por ku bën pjesë edhe Forza Italia e ish-kryeministrit Berlusconi. Po ashtu, partia e themeluar nga Bepe Grillo dhe e drejtuar nga Luigi di Maio nuk pranoi as aleancën e mundshme me Partinë Demokratike të majtë./abcnews.al