ISHP konfirmon: Deri tani dy të vdekur nga gripi

schedule13:42 - 4 Shkurt, 2019

schedule 13:42 - 4 Shkurt, 2019

Rëndohet bilanci i viktimave nga komplikacionet e shkaktuara nga gripi në vendin tone. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se dy persona ndërruan jetë si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga  AH1N1. Shefja e departamentit të kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino deklaron se rastet e vdekjeve janë konfirmuar nga rezultati i analizave, ndërsa për një rast tjetër po priten përgjigjet e analizave.

“Deri tani janë dy raste të konfirmuara me grip. Është dhe një rast tjetër i cili është menduar për grip dhe është duke u verifikuar nëse ka qenë si pasojë e gripit. Ka ndërruar jetë pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”. Një rast është i Tiranës dhe dy rastet e tjera janë të referuara nga elbasani, por rasti i fundit nuk i përket rrethit të Elbasanit, i përket një bashkie tjetër”, tha ajo.

Bino bën me dije se vendi është futur në sezonin e gripit stinor dhe intensiteti i tij po vjen në rritje. Por ajo qetësoi qytetarët duke thënë se nuk bëhet fjalë për virusin e atij që quhet rëndom si gripi i derrit.

“Natyrisht ne jemi sezonin e gripit. Pra kemi qarkullim të gripit dhe kemi intensitet mesatar. Pra kemi një rritje të shpejtë të rasteve me grip. Gripi është AH1N1, nuk është grip derri. Dua t’i qetësoj nnjerëzit. Nuk ka asnjë gjë të pazakontë. Është virusi sezonal i gripit, që po qarkullon. Është një virus i përfshirë në vaksinën e gripit, e cila është ofruar nga Ministria e Shëndetësisë, por qoftë edhe nga farmacitë private”, u shpreh specialistja.

ISHP thekson se vikitmat nga komplikacionet e gripit kanë qenë të pavaksinuar dhe kanë pasur probleme të tjera shëndetësore kronike, që janë rënduar nga prekja prej virusit të gripit./abcnews.al