Isa Mustafa reagon pas rrëzimit të qeverisë Kurti: Kemi dallime, me këto parti do bashkëpunojmë

schedule23:23 / 25/03/2020

Kreu i LDK, Isa Mustafa ka reaguar pas rrëzimit të qeverisë Kurti. Mustafa ka thënë se Kosova ka ardhur në një situatë ku i vihen sanksione nga aleati kryesor i saj. Ai ka shtuar se mocioni është shtyrë edhe nga shkarkimi që i është bërë Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme.

Mustafa ka thënë se VV ende e ka mandatarin të cilit duhet të ia mundësojë presidenti për formimin e Qeverisë së re, por nëse ata dështojnë LDK do të bashkëpunojë me AAK-në, Nismën dhe minoritetet. Mustafa ka shtuar se ka biseduar me të Dërguarin Special të SHBA’së, Richard Grenell.

‘’Nuk mund të them se jemi të kënaqur por as që jemi të zhgënjyer. Nuk  mund të themi se nuk është pritur pasi e kemi themeluar këtë qeveri për të punuar dhe forcuar shtetin. Mund të them se gjatë rrugës ka pasur probleme të bashkëpunimit’’, tha ai.

“Kemi ardhë në një situatë që ndaj nesh ndërmerren sanksione dhe jo ndaj Serbisë. Çështja e fundit ka qenë edhe çështja e shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme”, ka thënë ai në T7.

Seanca e sotme, sipas Mustafës ka shfaqur dallimet e mëdha që kanë LDK dhe Vetëvendosje, andaj në një situatë të tillë sipas tij ka qenë më mirë që mocioni është votuar.

“Në qoftë se i keni përcjellur të gjitha diskutimet e sotme, kemi ardhur në përfundim që mospajtimet kanë qenë të thella dhe kanë vluar edhe pse ne kemi bërë marrëveshje, pra doli se kemi pasur dallime. Është bërë mirë që mocioni është votuar. Më mirë është që një qeveri të ndërpritet në kohë se sa mos ta realizojë programin e saj”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK, ka thënë po ashtu se nuk ka arsye për të përjashtuar Vjosa Osnamin, e cila votoi kundër rrëzimit të qevreisë.

‘’Në asnjë rast nuk përjashtohet Vjosa Osmani. Do të ulemi të bisedojmë se cilat janë arsyet që cojnë në vendime kundër. Ajo ka dhënë premtime normalisht edhe ne e mbështesim sepse ajo nuk jep premtime në vete pa partinë. Nuk e përjashtojmë askënd, nuk e përjashtojmë as Vjosën’’, ka deklaruar ai.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti u votua me 82 vota pro dhe 32 kundër. Qeveria Kurti është më jetëshkurtra në Kosovë. Albin Kurti drejtoi vendin vetëm për 51 ditë.

schedule23:23 / 25/03/2020