Irving sërish vendimtar për Bostonin

schedule16:45 - 9 Shkurt, 2018

schedule 16:45 - 9 Shkurt, 2018

Boston Sëlltiks vazhdon të fitojë në basketbollin amerikan. Skuadra rekordmene e titujve shpreson të rikthehet në majë, falë yllit të saj kryesor, Irving.
Kur je i pari në muajin Shkurt, do të thotë se e ke seriozisht.
Boston Sëlltiks as nuk ka ndërmend ta dorëzojë vendin e parë në Konferencën Lindore në NBA, siç e tregoi hapur në fushën e Uashingtonit.
Rekordmenët e titujve në NBA u ndihmuan sërish nga ylli i tyre kryesor, Kajri Irving, ndërsa duken tepër të sigurt, ndërsa kanë kaluar më shumë se dy të tretat e sezonit.
Në kryeqytet, Bostoni triumfoi 110-104, falë 28 pikëve të Irvingut, ndonëse edhe basketbollistët e tjerë e bënë detyrën.
Kapiteni kapi edhe 5 topa në tabela, shërbeu 6 pasime për kosh, vodhi një top dhe bllokoi një gjuajtje, ndërsa në krah të tij ishin Braun me 18 pikë dhe Morris me 15.
Kjo ishte fitorja e 40-të e Sëlltiksave në 56 ndeshje të luajtura deri tani, një përmirësim edhe në krahasim me sezonin e kaluar.
Kryesimi në Lindje, thuajse baraz me Toronton dhe më lart se Klivlendi, është shenja më e qartë se Irving bëri zgjedhjen e duhur, ndonëse rrezikoi mjaft.
Ylli 25-vjeçar, që paguhet gati 18 milionë dollarë në vit, dëshiron të provojë se mund ta udhëheqë një skuadër drejt titullit në basketbollin amerikan.
Gjithsesi duhen ende 26 ndeshje deri në fund të sezonit të rregullt, ndërsa plej ofi është diçka krejt tjetër, ndaj Irving e di mirë se do ta ketë shumë të vështirë./abcnews.al