Dy protestues iranianë janë ekzekutuar, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve “Tasnim”, që tregon se regjimi iranian mund të jetë duke shtuar represionin nën hijen e konfliktit të vazhdueshëm me SHBA-në.
Erfan Esfandiari dhe Gol Mohammad Mohammadi janë ekzekutuar mëngjesin e së dielës, ka njoftuar “Tasnim”, për shkak të rolit të tyre në demonstratat anti-qeveritare të janarit, të cilat u përballën me një reagim brutal nga ana e regjimit.
Mbetet ende e paqartë se sa njerëz kanë humbur jetën gjatë atyre protestave, por agjencia HRANA (Human Rights Activists Neës Agency), me bazë në SHBA, thotë se të paktën 6,000 protestues kanë vdekur dhe 17,000 raste të tjera vdekjesh janë nën hetim.
Në atë kohë, presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte paralajmëruar Teheranin se, nëse do të përdornin dhunë kundër protestuesve, SHBA-ja do t’u dilte në ndihmë.
Dhe kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan të godisnin Iranin disa javë më vonë, Trumpi u bëri thirrje iranianëve që “ta shfrytëzonin momentin” dhe “ta merrnin sërish në dorë” vendin e tyre.
Një retorikë e tillë është zbehur gjatë rrjedhës së luftës. Në fakt, sipas organizatës “Iran Human Rights” (IHR) me bazë në Oslo, regjimi ka ekzekutuar të paktën 47 të burgosur politikë, një shifër shumë më e lartë krahasuar me 16 personat e ekzekutuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.



