IPKO Superliga | E hëna e penalltive, fitore jetike për Vushtrrinë dhe Flamurtarin

schedule14:54 - 11 Nëntor, 2019

schedule 14:54 - 11 Nëntor, 2019

Pavarësisht mungesës së tifozëve, Vushtrria mposhti Ferizajn 3-1 në shtëpi dhe rikthehet te fitorja pas dy humbjeve të fundit. Trepikësh i rëndësishëm për mbijetesën për vendasit, të cilët barazojnë me pikë ekipin e Isufit. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, teksa e dyta nisi me avantazhin e Vushtrrisë.

Bashkim Shala nuk gaboi nga pika e penalltisë dhe zhbllokoi shifrat. Shkodrani Raboshta dyfishoi 15 minuta më vonë dhe De Souza vuloi fitoren me golin e tretë. Miqtë reaguan dhe gjetën golin e nderit me anë të Fatih Karahoda.

Dukagjini nuk arriti të ruante avantazhin e pjesës së parë dhe u befasua nga Flamurtari. Kuqezinjtë siguruan fitoren e parë jashtë fushë në këtë sezon dhe kthehen me tre pikë nga Klina. Mark Milicaj ktheu në gol një penallti në minutën e 32-të dhe kaloi vendasit në avantazh.

Renditja e kampionatit dardan pas javës së 15-të

Një tjetër penallti u akordua në pjesën e dytë, kësaj radhe për Flamurtarin. Ekipi kryeqytetas barazoi me anë të Shend Kelmendit, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë. Minutat shtesë ishin fatale për Dukagjinin.

Gentrit Begolli shënoi gol në minutën e pestë shtesë dhe miqtë shpërthyen në festë. Ky sukses e ngjit Flamurtarin në vend të nëntë me 15 pikë, ndërsa ekipi nga Klina mbyll renditjen me vetëm 8 pikë të grumbulluara pas javës së 15-të. /abcnews.al

Dukagjini – Flamurtari 1-2
(Milicaj (pen) 32′ / Kelmendi (pen) 69′, Begolli 90+5′)

Vushtrria – Ferizaj 3-1
(Shala (pen) 49′,Raboshta 64′, De Souza 74′ / Karahoda 82′)