Investimi në Golem, Gjiknuri: Furnizim më të mirë nga ky sezon

schedule13:42 - 6 Maj, 2018

schedule 13:42 - 6 Maj, 2018

700 milionë lekë për ndërtimin e 8 fiderave të rinj të sistemit energjitik në zonën e Golemit do të mundësojnë zgjidhjen e problemeve me energjinë me nisjen e sezonit të ri turistik. Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njoftoi dhe investime të tjera në rrugë, dhe ne ujësjellës-kanalizime.

Me nisjen e sezonit turistik, zona e plazhit të Golemit, Kavajës dhe Malit të Robit do të kenë një furnizim më të mirë me energji.

Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, këto investime janë konkretizim i qasjes së qeverisë për përqëndrimin e projekteve në ato zona që kanë impakt ekonomik.

“Kjo është një zonë turistike dhe po të shikoni, ky investim në energji ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit këtu dhe patjetër në një cilësi më të mirë të shërbimeve turistike, por dhe për vet banorët. Nga ana tjetër, dua të them se nuk është investimi i vetëm. Përveç investimit në energji elektrike, po të shikoni, këtu po investohet dhe rruga e re, ndërsa po avancojnë investimet në ujin e pijshëm, ujërat e zeza dhe kanalizime”.

Ndërsa administratori i Operatorit të Shpërndarjes, Adrian Çela, sqaroi se pas këtij investimi, që vjen në kuadër të projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen e Sektorit Elektroenergjetik, këto zona nuk do të kenë më problemet me të cilat janë përballur në të shkuarën.

“Jemi sot këtu për inaugurimin e fazës së parë të investimit për zonën e Golemit, Kavajës dhe që shkon deri në Malin e Robit. Është një investim i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që përfshin 8 fiderat e kësaj zone me një total prej rreth 700 milionë lekë të reja. Duke nisur nga ky sezon turistik kjo zonë nuk do të ketë më problemet e shkuara me tensionin dhe furnizimin me energji elektrike”.

Ndërkaq, OSHEE po zbaton edhe një projekt tjetër investimi për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Gjirin e Lalëzit. Investimi për ndërtimin e këtij nënstacioni arrin në 458 milionë lekë të reja, ndërsa pritet të përfundojë në fund të vitit. Paralelisht me këtë investimin të OSHEE, nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit po punohet për ndërtimin e linjës 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit./abcnews.al