Urimi i parë nga selitë diplomatike në Shqipëri vjen nga Gjermania. Ambasada gjermane ka mirëpritur mbylljen e 3 grupkapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë më BE të martën në konferencën e 9 të ndërqeveritare në Bruksel.
“Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së, për të thelluar bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe inovacion, për të promovuar marrëdhënie më të ngushta arsimore dhe kulturore dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë ekonomike të BE-së.”
Ambasada gjermane në Tiranë vlerëson përpjekjet e Shqipërisë dhe rezultatet e arritura në reformat kyçe për anëtarësimin në BE.
“Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme – edhe në fushën e Themeloreve.”
Gjermania konfirmon mbështetjen e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE, me përparim dhe meritë duke përmbushur çdo kriter të vendosur.



