Sektori industrial i Gjermanisë humbi afro gjysmë milioni vende pune nga fundi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2025 ndërsa industritë tradicionale prodhuese u tkurrën dhe punësimi në sektorin e shërbimeve u zgjerua, njoftoi sot Instituti “Ifo”.
Sipas një studimi të degës së institutit me seli në Mynih, në Dresden, numri i vendeve të punës në industri që i nënshtrohen kontributeve të sigurimeve shoqërore ra me 496 mijë ose 7,1 për qind, gjatë kësaj periudhe. Sektori i shërbimeve krijoi mbi 2,2 milionë vende pune, kryesisht në kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale dhe administratën publike.
Industria e automobilave dhe furnizuesit e saj humbën 123.500 vende pune, ose 13 për qind. Prodhuesit e produkteve metalike shkurtuan 115.600 vende pune ndërsa kompanitë e inxhinierisë mekanike reduktuan punësimin me 64.500 vende. Këto tri industri përbënin së bashku rreth 60 për qind të humbjeve të vendeve të punës në sektorin industrial.
– Baza e mirëqenies po dobësohet
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i “Ifo Dresden”, Joachim Ragnitz tha se Gjermania po përjeton transformim strukturor gjithnjë e më të theksuar ndërsa industritë që më parë përbënin bazën e mirëqenies së saj po humbasin terren.
Ai paralajmëroi se rritja e punësimit po ndodh kryesisht jashtë sektorëve ku Gjermania ka qenë veçanërisht produktive dhe inovative, gjë që mund të dobësojë perspektivat e saj të ardhshme të rritjes ekonomike.
Sektori i kujdesit shëndetësor krijoi 391 mijë vende pune ndërsa shërbimet sociale, përfshirë shtëpitë e kujdesit, krijuan 357 mijë vende të tjera, duke reflektuar kërkesën në rritje nga një popullsi në plakje.
Numri i vendeve të punës në administratën publike që i nënshtrohen kontributeve të sigurimeve shoqërore u rrit me 329 mijë, pjesërisht për shkak se nëpunësit civilë që largoheshin nga puna zëvendësoheshin me punonjës me pagë. Kompanitë e teknologjisë së informacionit shënuan rritjen më të madhe të punësimit ndër ofruesit privatë të shërbimeve.
Numri i punonjësve me kualifikime profesionale ra me 252 mijë ndërsa punësimi i personave me diplomë universitare u rrit me 1,8 milionë, duke nxjerrë në pah rrezikun e mospërputhjes rajonale dhe të aftësive ndërmjet ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.
Punësimi në industri ra në të gjitha landet gjermane, me përjashtim të Hamburgut. Rënia ishte 8,4 për qind në Gjermaninë Lindore dhe 6,8 për qind në pjesën perëndimore të vendit. Studimi bazohet në të dhënat e Agjencisë Federale të Punësimit dhe nuk përfshin të vetëpunësuarit, nëpunësit civilë dhe personat me punësim të kufizuar, të njohur si “mini-punë”.


