Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë hap dyert për nënat dhe foshnjat me kushte tërësisht të transformuara.
Mjedise moderne dhe teknologji më të avancuar.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Evis Sala përuruan ambientet e reja.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama paralelizoi shëndetësinë e para 1 dekade me atë sot.
“Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.
Ne në sistemin tonë shëndetësor kemi shumëçka për të numëruar, por nuk kemi shumë nga ato probleme që kishim, jo larg, por një dekadë më parë; nuk kemi numrin marramendës të infeksioneve post-operatore që mbanin njerëzit me ditë të tëra në spital pas operacionit si rezultat i kushteve jashtëzakonisht të vështira higjienike dhe si rezultat i instrumenteve mjekësore tërësisht të dala boje”, tha Rama.
Në sistemin shëndetësor publik kryhen afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale, nga të cilat mesatarisht, 65-70 mijë janë ndërhyrje në sallën e operacionit dhe 25-30 mijë të tjera janë ndërhyrje mikrokirurgjikale.
“Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut, i shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë njerëzve që kanë nevojë për ta me dinjitet dhe si çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërrmuese të bluzave të bardha, nuk e ndyn dot pastërtinë e këtyre bluzave dhe natyrisht është pjesë e objektivit për ta bërë dhe më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku vajtje-vjen llumi i ryshfetit”, shtoi kreu i qeverisë.
Para bluzave të bardha, në mbyllje të fjalës së tij, shefi i qeverisë bëri dhe një premtim.



