I zhgënjyer me mënyrën si po menaxhohet kriza e Covid-19, jep dorëheqjen shkencëtari kryesor i BE

schedule08:57 - 8 Prill, 2020

schedule 08:57 - 8 Prill, 2020

Presidenti i Këshillit Evropian të Kërkimit, shkencëtari kryesor i Bashkimit Evropian, ka dhënë dorëheqjen.

Profesori Mauro Ferrari, e ka lënë postin e tij pasi nuk arriti të bindte Brukselin që të krijonte një program shkencor në shkallë të gjerë për të luftuar Covid-19.

Mauro Ferrari, i cili e nisi mandatin e tij katër vjeçar si udhëheqës i institucionit shkencor më 1 janar, i paraqiti dorëheqjen të martën pasdite presidentes së komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shkruan abcnews.al

Në një deklaratë të publikuar në Financial Times:

“Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer nga përgjigjja evropiane për Covid-19. Kam mbërritur në ERC si një mbështetës i zellshëm i BE-së [por] kriza e Covid-19 ndryshoi plotësisht pikëpamjet e mia, megjithëse idealet e bashkëpunimit ndërkombëtar unë vazhdoj t’i mbështes me entuziazëm.”

Këshilli i Kërkimit Evropian është krijuar në 2007 për të financuar shkencëtarët më të mirë të Evropës dhe është kthyer në një nga agjencitë më prestigjioze të financimit në botë me një buxhet prej rreth 2miliardë eurosh në vit.

Pionieri italiano-amerikan i nanomjeksisë, tha se përçarja e tij me Komisionin Evropian filloi në fillim të marsit “pasi u bë e qartë se pandemia do të ishte një tragjedi me përmasa ndoshta të pashembullta”.

Ai tha se propozoi atëherë të krijonte një program të veçantë ERC për të luftuar Covid-19:

“Mendova se në një kohë si kjo, shkencëtarët më të mirë në botë duhet të pajiseshin me burime dhe mundësi për të luftuar pandeminë, me ilaçe të reja, vaksina të reja, mjete të reja diagnostikuese, qasje të reja dinamike të sjelljes bazuar në shkencë, për të zëvendësuar intuitat e improvizuara shpesh të liderëve politikë.” /abcnews.al/