Grupi i posaçëm hetimor që është ngritur me qëllim për të zbardhur vrasjen e të riut Eglant Koçi, ka mundur të zbërthejë kompjuterët që u sekuestruan në biznesin e autorit të dyshuar Armand Shakaj.
Burime për televizionin Abcnews thanë se në kompjuterët e tij janë zbuluar të dhëna që lidhen me llogari kriptomonedhash, çka dyshohet të ketë qenë edhe arsyeja e vrasjes së 34-vjeçarit nga shoku i tij.
Pajisjet elektronike që u sekuestruan për dobi të këtij hetimi janë ekzaminuar në Laboratorin Kriminalistik, ndërsa janë gjetur prova që faktojnë se Eglant Koçi u vra nga Armand Shakaj për aktivitetin e kriptomonedhave, ku dyshohet se viktima bënte konvertimin në para cash dhe transportin e parave.
Armand Shakaj vazhdon të jetë në kërkim për vrasjen e Eglant Koçit, trupi i pajetë i të cilit u gjet në një humnerë në Elbasan rreth 2 javë pas zhdukjes së tij.
Prokurori Milan Laskaj po heton ngjarjen, të cilën e ka zbardhur plotësisht, teksa pritet edhe analizimi i provave të tjera që organi i akuzës ka në dorë për t’ia bashkuar fashikullit.
Lidhur me të njëjtën ngjarje, mbahet në paraburgim Enea Zyferi, kamarier në lokalin e autorit, i cili dyshohet se ka përkrahur Armand Shakajn, pavarësisht se ai i ka mohuar akuzat e prokurorisë.



