HRW: Regjimi i Bashar Al-Assadit dhe Rusia kryen krime lufte në Idlib

schedule23:44 - 15 Tetor, 2020

schedule 23:44 - 15 Tetor, 2020

Dhjetëra sulme ajrore dhe tokësore të organizuara nga regjimi sirian i Bashar al-Assadit dhe Rusia në Idlib të Sirisë në 11 muajt e fundit përbëjnë “shkelje e ligjeve të luftës”, tregoi sot një hulumtim i organizatës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW).

Raporti i HRW-së konfirmoi 46 sulme tokësore dhe ajrore që dëmtuan drejtpërdrejt ose tërthorazi objektet civile dhe infrastrukturën në Idlib në kundërshtim me ligjin humanitar ndërkombëtar, ose ligjet e luftës.

Ky hulumtim tregon se regjimi sirian dhe Rusia përdorën municione thërrmuese, armë zjarrvënëse dhe bomba të improvizuara fuçi në zonat e populluara në të cilat të paktën 1.600 civilë u vranë, detyruan zhvendosjen e rreth 1.4 milion njerëzve dhe shkatërruan ose dëmtuan infrastrukturën civile.

“Këto sulme përfaqësojnë vetëm një pjesë të sulmeve totale gjatë asaj kohe në Idlib dhe zonat përreth”, thuhet në hulumtimin e HRW.

“Këto flasin për shkelje të përsëritura të ligjeve të luftës që ishin krime të dukshme të luftës dhe mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit”, shtoi organizata.

Sulmet “dëmtuan seriozisht” të drejtat e sirianëve për shëndetin, arsimin dhe një standard të përshtatshëm të jetesës, theksohet më tej.

HRË tha se nuk ka gjetur prova të armëve, pajisjeve ose personelit ushtarak të opozitës në afërsi në kohën e sulmeve.

“Shumica dërrmuese e sulmeve të dokumentuara ndodhën larg luftimeve aktive midis forcave të qeverisë siriane dhe grupeve të armatosura antiqeveritare”, tha organizata, duke shtuar se ato ndodhën kryesisht në zonat e populluara pa paralajmërim paraprak.

Regjimi sirian dhe Rusia, nga ana e tyre, kanë thënë se ofensiva në Idlib ishte përgjigje kundër sulmeve të përsëritura ndaj forcave nga grupe të armatosura antiqeveritare dhe një përpjekje për të luftuar “terrorizmin”.

Hulumtimi gjithashtu vuri në dukje se pas armëpushimit në mars pas bisedimeve midis Rusisë dhe Turqisë, regjimi sirian “rimori kontrollin e gati gjysmës së territorit në Idlib dhe përreth tij, duke përfshirë qindra qyteza dhe fshatra që ishin kryesisht të shpopulluara pasi banorët e tyre ishin larguar gjatë ofensivës”.

Siria është shkatërruar nga një luftë e ashpër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit shtypi me dhunë protestuesit prodemokratikë.

Sipas vlerësimeve të OKB-së qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se dhjetë milionë janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre.

n.d./abcnews.al