Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lulzim Veliu, ka komentuar rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, duke deklaruar se mbajtja e saj e hapur është një çështje me interes për Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate.
Eksperti tha gjithashtu se çmimi i derivateve është rritur me rreth 30 për qind në muajt e fundit dhe vijon të mbetet i lartë. Sipas tij, një përsëritje e situatave të tilla mund të sjellë problematika të tjera, përfshirë kufizime në fluturime.
“Ngushtica e Hormuzit është interes amerikan. Edhe nëse vetë SHBA nuk ka ndonjë interes apo mbarësi nga kalimi i mallrave, janë shumë vende aleate dhe vende europiane që e dimë se kanë pasur probleme me gazin dhe energjinë dhe, nëse do të mbyllej, do të shkaktonte probleme me vendet partnere.
Është interes i tyre që të vijojë dhe kontrolli i SHBA-së, që kërkon që çdo gjë që kalon të paguhet dhe të ketë përfitime. Në raste të tilla shfrytëzohen këto gjëra që ngushtica të jetë e lirë.
Në fillim të shkurtit dhe marsit, çmimi i derivateve është rritur me 30 për qind, edhe sot mbetet i lartë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë sërish, do të kemi shumë problematika apo kufizim të fluturimeve.
Ky është një rikthim në luftë dhe do të vijojë deri në arritjen e synimeve të tyre.”
Profesori i çështjeve të sigurisë, Xhavit Shala, ka komentuar kapacitetet ushtarake të Ukrainës, duke deklaruar se vijimi i prodhimit të armëve gjatë luftës do të forcojë pozicionet strategjike dhe aftësinë e reagimit të vendit.
Sipas Shalës, zhvillimi i fabrikave të armëve në Ukrainë përbën një epërsi të rëndësishme, pasi rrit nivelin e mbrojtjes dhe kapacitetet për kundërpërgjigje ndaj sulmeve.
“Ukraina, duke prodhuar të tilla dhe nëse do të vazhdojë të jetë në luftë, kjo do të bëjë që Ukraina të mbrojë më shumë pozicionet strategjike të saj, fabrikat e armëve dhe kjo është një epërsi e jashtëzakonshme dhe rritje të nivelit të reagimit dhe sulmeve të Ukrainës.
Kjo është e rëndësishme për Europën, sepse ajo do të marrë vetë përgjegjësitë për shpenzimet dhe mbrojtjen. Është një sistem që kërkon kohë. Do të kërkojë kohë dhe investim. Për këtë arsye, presidenti i Ukrainës kërkon që të jetë lider dhe të bashkëpunojë me ndërmarrjet ushtarake.”



