Hetimet për rrugën Tiranë-Elbasan/Verifikim për rolin e ish-ministrit Haxhinasto

schedule14:52 - 6 Shkurt, 2018

schedule 14:52 - 6 Shkurt, 2018

Organi i akuzës së krimeve të rënda ka nisur verifikimet për ish-titullarët e ministrisë së trasporteve për abuzimet me tenderin e rrugës Tiranë-Elbasan. Ish ministri Edmond Haxhinasto dha dorëheqjen nga posti që mbante më 2 shtator 2016, vetëm 5 ditë përpara se KLSH-ja të bënte kallëzim në Prokurori për shkeljet e vërejtura në audit.

 

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet, në lidhje me rolin e ish-ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto në abuzimet dhe shkeljet e gjetura nga një audit i KLSH në vitin 2016 per projektin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ishte përpiluar dy vite më parë, pas auditimit ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar për projektin “Ndërtimi i Rrugës Tiranë-Elbasan”, ne periudhën qershor 2015- qershor 2016. Kjo periudhe perkon me kohën kur Haxhinasto ka qenë ministër i Transporteve.

Ish ministri Edmond Haxhinasto dha dorëheqjen nga posti që mbante më 2 shtator 2016, vetëm 5 ditë përpara se KLSH-ja të bënte kallëzim në Prokurori për shkeljet e vërejtura në audit. Haxhinasto u zëvendësua nga Sokol Dervishaj, edhe ky perfaqesues i LSI.

Përveç auditit të KLSH, edhe një audit i ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës ka konstatuar një dëm rreth 54 milionë dollarë me projektin e rrugës Tiranë – Elbasan. Gjithashtu ky auditim konstatoi edhe një shkelje të disiplinës financiare, me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Ditën e mërkurë 3 personat e ndaluar për këtë çështje ish-drejtori i ARRSH Dashamir Xhika, si edhe dy ish-vartësit e tij, Aleks Qurduka e Albens Alite do të dalin para togave të zeza në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë ”arrest me burg” të caktuar në mungesë ndaj tyre./abcnews.al