Grupi i PD vendos vazhdimin e aksionit opozitar edhe 30 ditë

schedule14:20 - 28 Maj, 2018

schedule 14:20 - 28 Maj, 2018

Grupi parlamentar i PD vendosi vazhdimin e aksionit opozitar edhe gjate 30 diteve te ardhshme. Pas disa javësh denoncime për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe protestës të së shtunës, shumë deputetë në mbledhjen e grupit të PD propozuan edhe bojkotin e parlamentit. Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, kreu demokrat Basha është shprehur se bojkoti i parlamentit deri në shkarkimin e Xhafës është plotësisht legjitim dhe më i natyrshmi në këto rrethana politike. “Levizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”-mësohet të ketë deklaruar Basha.

Kryetari demokrat ka sugjeruar të përdoren gjitha format dhe mënyrat demokratike nga grupi parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin e opozitës se largimi i Fatmir Xhafës është kusht i panegociueshem, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët në selinë blu. Edhe opozita e bashkuar doli me qëndrimin e përbashket që Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe t’i hapë rrugën një hetimi të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. /abcnews.al