Goditje poshtë brezit, Pogba: Mourinho të flakte në një cep, Solskjaer ndryshe

schedule10:39 - 16 Prill, 2021

schedule 10:39 - 16 Prill, 2021

Paul Pogba flet pa doreza. Kampioni i botës, i cili në ndeshjen e djeshme të Europa League kundër Granada mbante edhe shiritin e kapitenit, ka vlerësuar trajnerin aktual të Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer.

Francezi tregon ndryshimin e tij me Jose Mourinho dhe me siguri tekniku i Tottenham nuk do të ndjehet mirë pas publikimit të intervistës së Pogba. “Raporti që unë kam tani me Ole është ndryshe, ai nuk kthehet kundër lojtarëve. Ndoshta Ole nuk i fut në formacion, por nuk është se i lë mënjanë sikur të mos ekzistojnë më. Ky është ndryshimi mes Mourinho dhe Ole.

Kam pasur një marrëdhënie të mirë me Mourinho dhe të gjithë e panë, pastaj një ditë më pas ju nuk dini se çfarë ndodhi. Kjo është gjëja e çuditshme që pata me Mou dhe nuk mund të jap dot më shumë shpjegime, pasi as vetë nuk e di”, është shprehur për Sky Sport Pogba.

Më tej ai tregon se si Solskjaer ndihmoi mbrojtësin Luke Shaw të kalonte momentin e vështirë: “Ndoshta metodat e Solskjaer funksionojnë sepse ai është disi më afër njerëzve. Çdo trajner ka mënyrën e tij për të stërvitur dhe për t’u marrë me lojtarët.

Ne normalisht duhet të përshtatemi, por ka raste që nuk ndodh. Ole e ka ndihmuar shumë Luke Shaw, pasi ai vinte nga një sezon i vështirë me Mourinho. Ai e ka provuar se ka cilësitë që i ka pasur gjithmonë dhe besimin e trajnerit”.

Para pak ditësh United triumfoi kundër Tottenham dhe Mourinho e zhvendosi vëmendjen te Son dhe deklarata e Solskjaer. “Nuk  e di se çfarë ndodhi, jam i sigurt që Mourinho tha diçka që do t’i bënte njerëzit të flisnin. Kjo është ajo që ai bën. Ne morëm rezultatin që donim. Ole e di dhe e shijuam shumë atë moment, pasi e njohim Mourinho dhe atë që ai do.

Ne nuk kemi nevojë për luftë fjalësh, thjesht përqendrohemi te vetja. Ne e fituam ndeshjen, ai e humbi dhe ai nuk dëshiron të flasë për lojën. Ai dëshiron të flasë për babanë e dikujt, kjo është ajo që bën. Të gjithë e njohin atë, është shumë Mourinho”. /abcnews.al