Goditje me raketa pranë ambasadës shqiptare në Izrael: Jemi të shqetësuar për sulmet pa kriter nga Hamasi

schedule14:58 - 15 Maj, 2021

schedule 14:58 - 15 Maj, 2021

Luftimet mes palestinezëve dhe izraelitëve janë në pikën e tyre në të nxehtë. Bombardimet nga të dyja palët po prekin edhe selitë e huaja diplomatike.

Ambasada shqiptare në Izrael, ka shkruar pak minuta më pare se ka pasur goditje raketash pranë zyrave të saj.

Ambasada thekson në një postim në rrjetet sociale se janë të shqetësuar për sulmet pa kriter nga Hamasi në drejtim të Izraelit dhe se situata duhet të de-pershkallëzohet menjëherë.

“Goditje raketash në Ramat Gan, pranë ambasadës shqiptare gjithashtu, midis breshërive të mëdha në Izraelin qendror. Shumë të shqetësuar nga sulmet pa kriter nga Hamasi në Izrael. Civilët nga të gjitha anët duhet të mbrohen dhe kjo situatë shpërthyese duhet të de-përshkallëzohet,” shkruan ambasada shqiptare në “Twitter” teksa shpërndan postimin e ambasadës austriake, e cila gjithashtu është rrezikuar nga bombardimet.

“Sapo pati një goditje rakete në Ramat Gan afër Ambasadës Austriake. Për fat të mirë të gjithë jemi të sigurt. Kjo duhet të ndalet menjëherë!” shkruan ambasadorja austriake në Izrael Hannah Liko. g.v/abcnews.al