Gjysmëfinalet e Champions League: PSG-Bayern “flakë”, Chelsea e ka formalitet

schedule09:39 - 13 Prill, 2021

schedule 09:39 - 13 Prill, 2021

Champions League do të mësojë gjysmëfinalistet e para mbrëmjen e sotme. Prej orës 21:00 do të zhvillohen dy ndeshje shumë të rëndësishme, por sigurisht sytë do të jenë në Paris, aty ku do të luhet PSG-Bayern Munich.

Francezët e kanë fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-2 dhe për Bayern lind detyra e vështirë për të triumfuar me dy gola, për ta kaluar në gjysmëfinale. Te PSG dëshira është e madhe për t’u hakmarrë për humbjen e vjetshme në finalen e Champions League.

Pa Robert Lewandowski për Bayern nuk është e lehtë, edhe pse në duelin e parë dominuan totalisht dhe rezultati ishte ai që ishte falë pritjeve të pafundme të portierit Keylor Navas. PSG është më e plotë, edhe pse për këtë duel ka humbur Marquinhos.

As Icardi e Bernat nuk janë, ndërsa në krahun tjetër Flick nuk ka as lojtarë si Gnabry, Douglss Costa, Roca e Sule. Në ndeshjen tjetër në Sevilla, Chelsea e ka disi më të lehtë për të kaluar në gjysmëfinale.

Londinezët e kanë mundur Porton me rezultatin e pastër 2-0 në duelin e parë dhe tashmë duhet të formalizojnë kualifikimin mes katër më të mirave në Champions League. Trajneri Thomas Tuchel e ka eksperiencën për këtë, pasi vjet me PSG shkoi deri në finale. /abcnews.al