Gjykata Kushtetues vendos fatin e qeverisë së Kosovës

schedule08:08 - 2 Dhjetor, 2020

schedule 08:08 - 2 Dhjetor, 2020

Gjykata Kushtetuese këtë të mërkurë në orën 10:00 do të diskutojë në lidhje me ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi kur Avdullah Hoti është zgjedhur kryeministër.

Në një seancë publike, GJK-ja do të dëgjojë opinionet e palëve, derisa në fund do të publikohet edhe verdikti lidhur me ligjshmërinë apo jo të votës së deputetit Etem Arifi. Një vendim pro Vetëvendosjes sjell një situatë të re politike në vend.

Si përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë deputeti Artan Abrashi dhe anëtari i këtij subjekti, Blerim Salla.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti, janë shprehur të bindur se epilogu do të jetë në favor të tyre.

“Në këtë seancë do të marr pjesë unë si dërgues i kërkesës për interpretim dhe aktivisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Blerim Sallahu, si palë e autorizuar për të paraqitur argumentet juridike pse besojmë që qëndrimi ynë është i drejtë”, ka thënë Abrashi.

Ndërkohë si palë në këtë çështje do të marrin pjesë në seancë edhe nga Qeveria. Ekzekutivi që udhëhiqet nga Avdullah Hoti e ka angazhuar për t’i përfaqësuar nesër avokatin Besnik Berisha.

Në seancën publike të GJK-së, Qeveria e Kosovës do të përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

Pos Berishës në Qeveri, LDK-ja me gjasë nuk do të jenë palë në këtë proces me një përfaqësues të subjektit.

Kreu i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj, e ka konfirmuar për Express se do të jetë pjesë e seancës, por thotë se ai është ftuar vetëm në cilësinë e kryetarit të komisionit.

Në këtë seancë do të marrë pjesë si kryetar i komisionit për legjislacion, pra jam i ftuar vetëm si pjesë e komisionit jo si anëtar i LDK-së, pasi që kjo çështje është trajtuar në komisionin tonë, do të përgjigjemi rreth punës që është bërë”, tha Manaj.

Seanca publike ku do të diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi do të fillojë  në orën 10:00. Kjo seancë do të bëhet përmes video-konferencës, për shkak të pandemisë.

Palëve të përfshira do t’u jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës./abcnews.al