Gjykata e Apelit liron 7 nga 11 kuksianët e arrestuar

schedule15:08 - 20 Prill, 2018

schedule 15:08 - 20 Prill, 2018

Gjykata e Apelit në Shkodër liroi shtatë nga protestuesit e Rrugës se Kombit dhe la në burg katër nga 11 që ishin me masën e sigurisë arrest me burg. Përgjatë gjithë orëve që u zhvillua seanca pranë godinës së gjykatës kanë qënduar mbështetës të shumtë që kërkonin lirimin e kuksianëve.

Pas katër orësh, shtatë nga 11 protestuesit u liruan, kurse katër prej tyre u lanë në burg. Gjykata e Apelit në Shkodër nuk ndryshoi masën e sigurisë për Elton Cengun, Florin Onuzi, Vasil Laçin. Xhevahir Gashi.

Ata janë akoma në masën e sigurisë arrest me burg. Kurse të tjeret,  Shpëtim Todën, Xhevahir Herenin, Shkëlqim Vatën, Ervis Ruçin, Rasim Onuzin, Abdi Haziri, Edmond Matmuja masa ndryshoi nga arrest ne burg ne detyrim paraqitje.

Heqja e prangave u shoqërua me brohoritje brenda në sallë dhe jashtë godinës. Por pati kundërshtim për tre që u lanë brenda. Megjithatë familjarë dhe mbështetës të tjerë të 11 protestuesve nisën të festonin. Trupës gjykuese e përbëre nga relatore Hajrie Muçmataja dhe anëtarë, Asrit Kalaja e Vojsava Osmani iu desh një orë për të marrë këtë vendim.

Kurse akuza e përfaqësuar nga prokurorët Brahim Ndragjoshi dhe Elvin Kutaj nuk u tërhoqën deri në fund. Brenda në seancë u lejuan familjarë, gazetarë e politikanë. Prezenca e njerëzve jashtë të mbledhur që në mëngjes, vuri në presion forcat e policisë.

I pari që dha udhëzimet për qetësi dhe respektim të ligjit ishte Drejtori i Policisë, Vehbi Bushati. Para se të niste seanca, policia ishte pozicionuar, sipas një plani masash të posaçëm. Në Shkodër kishin mbërritur ndërkohë drejtues të lartë të policisë.

Pas tyre edhe deputetë të PD e të LSI. Kur makinat e burgut sollën në gjykatë, 11 kuksianët e prangosur për protestën kundër tarifës së Rrugës së Kombit, turma reagoi. Thirrje “lironi vëllezërit”, “poshtë Xhafaj” e “poshtë Rama” shkruheshin në shumë pankarta.

Dy tumuese u hodhën  pranë ndërtesës së gjykatës. Njëra nga to, tek vendi ku ndodhej drejtori Bushati, i cili po udhëzonte policët. Nuk pati përshkallëzim të akteve dhe të pranishmit pritën jashtë mureve, deri ku u shpall vendimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!