Fat i ndryshëm për dy shtyllat difensive. Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli janë qendërmbrojtësit kryesorë të kombëtares, veçse njëri ishte sërish në fushë në Itali, e tjetri në infermieri.
Gjimshiti luajti përsëri titullar për Atalantën, në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Bolonjës. Kapiteni kuqezi ishte protagonist në një moment e thuajse shërbeu asist për gol, por portieri mik nuk lejoi të prekej rrjeta.
Kjo do të kishte ndodhur pak ditë pasi shënoi në barazimin ndaj Torinos në Serinë A. Ndoshta, Gjimshiti mund të quhet fajtor për golin e pësuar në minutën e 80-të, shënuar nga Santiago Kastro, e që solli eliminimin e bergamaskëve, edhe pse luajtën në shtëpi.
Këtë të mërkurë luhet ndeshja tjetër çerekfinale e Kupës së Italisë, mes Milanit e Romës në orën 21:00. I ndryshëm momenti I Ardian Ismajlit. Kapiteni I Empolit u detyrua të dilte nga fusha I dëmtuar në sfidën e kaluar të kampionatit italian në fushën e Juventusit.
Mbrojtësi 28-vjeçar ka një problem muskulor, dhe sipas të përditshmes kryesore sportive në Apenine, “La Gazeta delo Sport”, do të mungojë në sfidën e kësaj fundjave në Serinë A kundër Milanit.
Dueli luhet të shtunën në 18:00, dhe gjendja e Ismajlit cilësohet si “dëmtim që duhet të vlerësohet”. Kjo do të thotë se ende nuk dihet sesa do të mungojë Ismajli./abcnews.al