Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Në kushtet kur ka situata të rrezikshme, mund të shkojë operacioni deri aty sa, është dhënë urdhër që të veprohet dhe në momentin e fundit unë e kam anuluar urdhrin që të mos veprohet. Unë ose drejtues të tjerë të tjerë që ka pasur RENEA
Ka një moment, në çdo operacion të forcave speciale, kur gjithçka mund të ndryshojë. Një sekondë më parë, gjithçka është nën kontroll. Në sekondën tjetër, dikush mund të hapë zjarr.
Një peng mund të humbasë jetën. Një efektiv mund të mos kthehet më. Dhe një vendim i vetëm mund të përcaktojë fatin e të gjithëve. Në atë moment, shteti nuk dërgon thjesht policë. Dërgon njerëzit e tij më të përgatitur. Njerëzit që stërviten për situatat, në të cilat policia e zakonshme nuk mund të hyjë. Njerëzit që thirren kur një person është barrikaduar me armë. Kur një pengmarrje ka kaluar çdo kufi. Kur një agresor ka hapur zjarr dhe nuk pranon të dorëzohet.
Kur çdo përpjekje për negocim mund të jetë edhe mundësia e fundit për të shpëtuar një jetë. Këta njerëz kanë një emër. Janë RENEA.
Por RENEA nuk lindi në një Shqipëri të qetë. Lindi në një vend që po ndryshonte me shpejtësi. Në fillim të viteve ’90, bashkë me lirinë erdhën edhe armët. Institucionet u dobësuan. Krimi u organizua. Pengmarrjet dhe atentatet u kthyen në realitet. Dhe më pas erdhi viti 1997. Një vend i armatosur. Një shtet që po përpiqej të rikthente kontrollin.
Banda, pengje, grabitje, vrasje. Në atë kaos, Shqipëria kishte nevojë për një forcë që të mund të hynte aty ku të tjerët nuk mundeshin. Një forcë që nuk do të thirrej çdo ditë. Por që duhej të ishte gati çdo ditë. Kështu nisi historia e RENEA-s. Një histori që nuk mund të tregohet vetëm përmes datave. Sepse historia e saj është shkruar në operacione. Në ndërhyrje. Në pengje të shpëtuar. Në persona të rrezikshëm të neutralizuar. Në net pa gjumë. Në vendime të marra në sekonda. Por edhe në humbje. Sepse në një repart ku misioni është të shpëtosh jetën e të tjerëve, ekziston edhe një mundësi tjetër që pak kush e mendon. Po efektivin e RENEA-s kush e shpëton?
Për më shumë se tri dekada, RENEA ka ndryshuar bashkë me kërcënimin. Armët kanë ndryshuar. Krimi ka ndryshuar. Po ashtu edhe teknologjia. Edhe mënyra e luftimit të krimit ka ndryshuar. Nga vitet e bandave, te krimi i organizuar. Nga pengmarrjet, te personat e armatosur dhe të barrikaduar. Nga ndërhyrjet në terren, te operacionet që kërkojnë informacion, inteligjencë, teknologji dhe koordinim. Por një gjë nuk ka ndryshuar. Në momentin kur gjithçka tjetër dështon, thirret RENEA. Dhe në ato pak minuta para ndërhyrjes, gjithçka varet nga vendimmarrja.
Sepse ndonjëherë vendimi më i vështirë nuk është të hysh. Është të dish kur të mos hysh. Kjo është historia e një force speciale. E elitës së Policisë së Shtetit. Por mbi të gjitha, është historia e njerëzve që kanë mësuar të hyjnë në vijën e zjarrit pa e marrë asgjë personale. Sepse pas helmetës, mburojës dhe armës janë njerëz. Njerëz që e dinë se mund të jenë sekondat e fundit të dikujt tjetër por edhe të atyre vetë. Dhe që në fund të çdo operacioni, duan vetëm një gjë: Të kthehen të gjithë në shtëpi.
FORCAT ELITË SHQIPTARE
Në repartin special RENEA, dita nuk nis kur fillon një operacion. Ajo nis shumë më herët, me disiplinën, rregullin dhe përgatitjen që duhet ta bëjnë një efektiv të gatshëm për çdo situatë.
Ora është 08:00 e mëngjesit. Trupa rreshtohet. Verifikohet prezenca dhe, përpara se të nisë programi i ditës, zv.shefi i RENEA-s përcakton detyrat dhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë orëve në vijim. Është momenti i parë i ditës kur çdo efektiv duhet të dijë se çfarë e pret, cilat janë prioritetet dhe çfarë kërkohet prej tij.
Më pas, në një mbledhje të posaçme, komandanti i repartit takohet me shefat e njësive. Për rreth 15 deri në 30 minuta analizohet gjithçka që ka ndodhur një ditë më parë, evidentohen problematikat, diskutohen çështjet që kërkojnë zgjidhje dhe përcillen urdhrat apo detyrat e reja. Në një repart ku gatishmëria mund të kërkohet në çdo moment, kjo mbledhje është më shumë se një rutinë administrative. Është pika ku informacioni kthehet në detyrë dhe detyra në përgjegjësi.
Pas mbledhjes, reparti ndahet sipas funksioneve. Një grup prej rreth 10 deri në 16 efektivësh qëndron në gatishmëri, i përgatitur për t’iu përgjigjur çdo situate që mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave speciale. Paralelisht, pjesa tjetër e trupës përgatitet për programin e stërvitjes.
Në orën 09:00 nis stërvitja. Asgjë nuk lihet në spontanitet. Programi ditor i përgatitjes është i miratuar nga drejtori i Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe përcaktohet në fillim të çdo viti, për t’u zbatuar gjatë gjithë vitit nën drejtimin e instruktorëve të RENEA-s.
Për katër orë, deri në orën 13:00, efektivët kalojnë përmes një programi intensiv që përfshin përgatitjen fizike, përgatitjen taktike speciale, qitjen dhe elementë të tjerë të domosdoshëm për misionet e forcave speciale. Qëllimi nuk është vetëm të ruhet forma fizike. Synimi është që çdo lëvizje, çdo reagim dhe çdo vendimmarrje të jetë sa më e saktë në momentin kur një situatë reale nuk të jep kohë për të menduar dy herë.
Dhe në repartin speciale RENEA, përgatitja nuk ndalet kur ndryshon stina. Gjatë muajve të verës, programit të zakonshëm i shtohet edhe stërvitja verore, e cila zhvendoset jashtë ambienteve të repartit. Terrene të ndryshme, kushte të ndryshme dhe skenarë të ndryshëm bëhen pjesë e përgatitjes së një trupe që duhet të jetë e aftë të veprojë aty ku e kërkon misioni.
Në krye të kësaj njësie qëndron Kryekomisar Altin Dardha, i cili e drejton RENEA-n që prej tetorit të vitit 2019. Me një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, ai ka ndjekur studimet në Akademinë e Policisë, si dhe në fushën e Drejtësisë, ndërsa gjatë karrierës së tij ka shërbyer në disa prej strukturave të rëndësishme të Policisë së Shtetit.
Dhe sot, kjo përgatitje merr një rëndësi të veçantë. RENEA po zhvillon një program intensiv për mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë zhvillimit të Samitit të NATO-s në Shqipëri, një tjetër detyrë që kërkon koordinim, gatishmëri dhe standarde të larta operacionale.
Për një repart si RENEA, një ditë normale është gjithmonë edhe një ditë përgatitjeje për një situatë jonormale. Ndërsa pjesa më e madhe e efektivëve ndjek programin e stërvitjes, një grup mbetet në gatishmëri. Sepse një telefonatë mund ta ndryshojë menjëherë ritmin e ditës. Një urdhër mund ta ndërpresë stërvitjen. Dhe nga ajo pikë, gjithçka që është praktikuar në repart duhet të kthehet në reagim real.
Kjo është rutina e RENEA-s: Rreshtim, disiplinë, analizë, stërvitje dhe gatishmëri. Një cikël që përsëritet çdo ditë, sepse për këtë trupë, përgatitja nuk është një aktivitet i veçantë. Është mënyra e punës.
Përpara se të shfaqet në terren, RENEA përgatitet brenda repartit. Dhe pikërisht këtu nis gjithçka. Sepse për RENEA-n, gatishmëria nuk matet me orë. Në një situatë emergjente, ajo matet me minuta. Njësia e gatshme 24-orëshe qëndron në pritje të urdhrit. Në çdo moment, një situatë mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave speciale. Urdhri i komunikohet komandantit të RENEA-s nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe, nga ai çast, nis numërimi mbrapsht. 10 deri në 15 minuta. Kaq kohë ka grupi për të kaluar nga gjendja e gatishmërisë në përgatitjen për një ndërhyrje.
Skenari i demonstrimit është një prej situatave më të rrezikshme që mund t’i besohet një force speciale. Një grup i armatosur është brenda një objekti dhe duhet të neutralizohet e më pas të arrestohet. Nga jashtë, gjithçka mund të duket si një seri veprimesh të shpejta. Por pas tyre qëndron një rutinë e përsëritur qindra herë gjatë stërvitjeve. Çdo efektiv e di detyrën e tij dhe vendin që ka në skemën e ndërhyrjes. Më pas nis lëvizja drejt objektit.
Grupi afrohet. Perimetri kontrollohet. Pozicionet përcaktohen dhe specialistët vendosen sipas rolit që kanë në operacion. Në një pikë të favorshme pozicionohen edhe snajperistët, të cilët mbulojnë zonën dhe monitorojnë situatën nga distanca.
Tashmë, grupi është përballë objektit. Çdo lëvizje duhet të jetë e koordinuar. Çdo komunikim duhet të jetë i qartë. Sepse në një situatë reale, përballë mund të jetë një grup i armatosur dhe çdo gabim mund të ketë pasoja. Vjen momenti i ndërhyrjes.
Efektivët lëvizin drejt objektit dhe hyjnë në skemën e neutralizimit dhe kontrollit. Qëllimi është i qartë: Të izolohet kërcënimi, të kontrollohet objekti dhe personat e armatosur të arrestohen.
Ajo që për publikun zgjat vetëm pak minuta, për RENEA-n është rezultati i një përgatitjeje të gjatë. Nga një telefonatë, te pajisjet. Nga pajisjet, te objekti. Nga objekti, te ndërhyrja. Gjithçka nis me një urdhër dhe përfundon vetëm kur kërcënimi është nën kontroll. Ky është shërbimi emergjent i RENEA-s. Një trupë që duhet të jetë gati jo vetëm të veprojë shpejt, por të veprojë saktë, të koordinuar dhe nën presion.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Natyrisht që shërbimet, ose operacionet që kryen njësia speciale RENEA kanë shkallë të lartë vështirësie. Por edhe brenda vështirësisë ndryshojnë, me rrezik të ulët, rrezik të mesëm dhe rrezik të lartë. Operacionet më të vështira, ose operacionet më të rrezikshme, që është përballur RENEA, janë me persona, të cilët janë barrikaduar brenda një objekti dhe kanë hapur zjarr kundër forcave të Policisë, pastaj ka shkuar RENEA dhe është përballur. Këto janë operacionet më të vështira që kemi pasur ndër vite.
Por përtej stërvitjeve dhe skenarëve të simuluar, ka pasur raste kur RENEA është thirrur në terren në rrethana kur rreziku kishte marrë tashmë përmasa tragjike. Operacione ku, pak para mbërritjes së forcave speciale, një koleg polic kishte humbur jetën dhe ku efektivët e RENEA-s duhej të përballeshin jo vetëm me kërcënimin, por edhe me peshën emocionale të humbjes së një kolegu.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Kanë qenë rastet kur RENEA ka shkuar në një operacion pasi në atë operacion ka pasur viktima nga radhët e Policisë. Mbaj mend operacionin e Shkodrës, në zonën e Muriqanit, ku ne kemi shkuar pasi atje kishte humbur jetën një oficer i Policisë që ishte me detyrë në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër. Normalisht kur shkon në një ngjarje të tillë, përveç atyre emocioneve dhe adrenalinës që ka një efektiv i RENEA-s, normalisht kur shkon pasi ka humbur jetën një punonjës Policie ndryshon edhe më shumë gjendja emocionale, sepse shkojmë në një operacion ku pak para se të mbërrinim ne ka humbur jetën një kolegu jonë. Është po ashtu edhe operacioni i Torrovicës ku edhe aty ka humbur jetën një punonjës policie i FNSH Shkodër. Kemi pasur pastaj operacione të vështira në Elbasan, në Maliq, ku persona të cilët kanë pasur probleme me familjarët e tyre, ka filluar si një dhunë brenda familjes, ka vazhduar si një dhunë dhe hapje zjarr në drejtim të komunitetit, pastaj i është dashur RENEA-s të shkojë, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore. Është shumë i rëndësishëm bashkëveprimi me Policinë Vendore, për të shkëmbyer informacione mbi personin, veprimtarinë e tij. Qoftë për ato kërkesa që ne kemi për t’u plotësuar në këto operacione. Pra janë kërkesa që mund të ketë nevojë për ndërhyrje nga Policia Vendore që ne të na përgatiten kushtet për ta zgjidhur këtë operacion në mënyrë sa më të suksesshme.
Por duket se ngjarje të vështira dhe me një tjetër lloj adrenaline e emocioni janë rastet e pengmarrjeve dhe komandanti veçon disa prej tyre.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Normalisht ka një adrenalinë dhe një emocion tjetër operacioni kur ka raste pengmarrjesh, që nuk kanë qenë të pakta. Mund të përmend operacionin e pengmarrjes në Lezhë, që ka qenë para viteve 2000. Kanë qenë vite shumë të vështira për Shqipërinë, por kanë qenë shumë të vështira edhe për forcat e Policisë, automatikisht edhe për forcat speciale. Ato vite kanë pasur ngjarjet e vitit ’97 dhe kanë vazhduar deri në vitet 2000, që kanë qenë rrjedhojë e situatës kur ka pasur ngjarje shumë të rënda. Në operacionin e pengmarrjes së Lezhës unë nuk kanë qenë pjesë, por di që Njësia Speciale RENEA në atë kohë, pas një trajnimi të vazhdueshëm me specialistë të forcave speciale gjermane, ka qenë një ndër të parat, që RENEA nën drejtimin e titullarëve të asaj kohe, ka kryer një operacion model, ku ka kaluar të gjitha fazat që duhet të kalojë një operacion special. Qoftë me negocimin, qoftë me përdorimin e lëndëve lakrimogjene, qoftë me përdorimin e qenit policor, derisa u zgjidh situata me qitje selektive nga efektivët specialë të kësaj Njësie, që bëri të mundur realizimin me sukses të asaj detyre. Ka pasur raste të tjera pengarrjes, siç ishte autobusi që u mor peng në Rrëshen, ku pati dhe viktima. U angazhua RENEA dhe ka zgjidhur një operacion me shkallë të lartë vështirësie. Rastet e fundit janë këto që përmenda, në Elbasan dhe Maliq, ku jemi përballur me njerëz të barrikaduar brenda objektit, që kanë hapur zjarr kundrejt forcave të policisë, kundër Njësisë Speciale RENEA. Edhe këto janë operacione që kanë kaluar të gjitha fazat që duhet të kalojë një operacion special, që bazohet në procedurat standarde të punës. Që me kufizimin e zonës së operacionit, me fillimin e negocimit, që të bëhej e mundur që këta persona të dorëzoheshin, por ata i janë përgjigjur RENEA-s me armë zjarri. Kemi vijuar me fazat e tjera, me përdodimin e lëndës lakrimogjene, derisa është zgjidhur situata me metodat tona speciale, pa pasur dëme anësore në këto dy raste që përmenda. Dëme anësore them për komunitetin, forcat e policisë dhe të forcave speciale.
Në çdo operacion, RENEA përballet me një vijë të hollë mes rrezikut dhe përgjegjësisë. Forca speciale nuk niset në terren me objektivin për të përdorur forcën vdekjeprurëse, por për ta zgjidhur situatën duke mbrojtur jetën e qytetarëve, të efektivëve të Policisë dhe, sa të jetë e mundur, edhe të personit që ndodhet përballë tyre. Por çfarë do të thotë kjo për një efektiv që hyn në një situatë ku çdo sekondë mund të ndryshojë gjithçka?
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Normalisht një efektiv i forcave speciale RENEA, kur niset, si detyrë parësore e jona si drejtues, por edhe forcave operacionale e operatorëve tanë, është jeta e komunitetit, jeta e efektivëve të Policisë, por normalisht dhe këtë e them me bindje të plotë, që parësore është edhe jeta e atij që përballet me ne. Ne nuk duam kurrsesi që një operacion ta mbyllim duke përdorur forcën vdekjeprurëse. Ne duam që një operacion ta mbyllim pa viktima nga të gjitha palët. Pastaj kur ne jemi të detyruar, atëherë shkon ashtu siç ne nuk duam të shkojë, por jemi të detyruar, duke zbatuar të gjitha procedurat tona standarde, ligjet që normojnë punën tonë, jemi të detyruar ta zgjidhim shërbimin, siç kanë qenë rastet e fundit që unë përmenda.
SEKONDAT E FUNDIT
Në një operacion të forcave speciale, vendimi për të ndërhyrë nuk është gjithmonë një vijë pa kthim. Edhe kur urdhri për veprim është dhënë, një ndryshim i situatës në sekondat e fundit mund ta bëjë të panevojshme ndërhyrjen dhe drejtuesit duhet të jenë gati ta ndalin atë në çdo moment. Sepse ndonjëherë, vetëm pak sekonda ndajnë një ndërhyrje nga një tërheqje dhe një vendim mund të përcaktojë fatin e të gjithë personave që ndodhen brenda dhe jashtë objektit.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Këtu precipiton situata me sekonda. Nga një moment kur ti vendos të veprosh në një objekt, aty qetësohet situata dhe ti vendos, tërheq forcat sepse personi brenda fillon bashkëvepron, kthen përgjigje, nuk hap zjarr, futet në bisedime. Pra nuk mund të përcaktoj se sa sekonda e ndajnë këtë pjesë, sepse thashë mund të vijë sekonda i fundit për të vepruar dhe në atë sekondë ne tërhiqemi. Në shumë raste ka ndodhur dhe jam i bindur që do të ndodhë sërish, por për të zgjidhur me sukses një operacion patjetër që është kryesorja vendimmarrja e drejtimit, por edhe vendimmarrja e vetë operatorit të RENEA-s kur është në një situatë që duhet të marrë masa për të ruajtur veten, për të ruajtur kolegët. Duhet të veprojë me iniciativë, duke zbatuar të gjitha ligjet, aktet normative, procedurat tona standarde.
Përpara se të hyjë në një objekt, një efektiv i RENEA-s përballet me një tjetër betejë. Atë me veten. Në ato pak minuta, adrenalina dhe rreziku duhet të vendosen nën kontroll, ndërsa secili kalon nga rutina e përditshme në rolin që i është caktuar në operacion. Për operatorët RENEA-s, qetësia nuk është mungesë frike. Është aftësia për të mos lejuar që emocionet të marrin vendime në vendin tënd.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: E vërteta është që ne ndryshojmë shumë nga aktiviteti normal dhe kur marrim detyrën. Kur marrim detyrën secili nga ne hyn në rolin e tij. Unë hyj në rolin e drejtuesit, komandanti i grupit hyn në rolin e komandës së grupit dhe operatori i forcave speciale hyn në rolin e tij. Ai instruktazhi që unë bëj dhe që e them gjithmonë në takime dhe analiza, është që asnjëri nga ne, që nga unë i pari e deri te punonjësi i fundit, nuk duhet të marrim asgjë si personale. Pra duke thënë se, pavarësisht se ne po shkojmë të përballemi me një person që ka bërë krime të ndryshme, në të shkuarën dhe në atë moment, e rëndësishme është që ne të mos e marrim personale. Sepse ai nuk e ka me ne dhe ne duhet ta mendojmë që nuk e kemi personale me të. Në të kundërt aty fillojmë dhe bëjmë gabime. Kur secili nga ne hyn në rolin e tij, në zbatimin e detyrave që ka secili, pa marrë asgjë personale, nuk bën gabime dhe ruan qetësinë. Gjatë gjithë kohës operatorët tanë stërviten në drejtimin e përgatitjes fizike, në drejtimin taktik, në drejtimin e qitjes, edhe psikologjikisht. Për aftësitë e tyre gjatë gjithë kohës testohen, të përballojnë situata të ndryshme, të mos rëndohen psikologjikisht pas operacioneve, të mos rikthejnë në trurin e tyre atë që ka ndodhur në operacion. Por pasi përfundon operacioni, bëhet edhe ajo analiza jonë e përhershme, nxirren ato anët pozitive dhe negative, sepse normalisht mund të ketë detyra që janë zgjidhur në mënyrë shumë të suksesshme, por mund të jenë bërë edhe gabime, që i dimë dhe i vlerësojmë ne për t’i korrigjuar në të ardhmen.
PSE I DUHEJ SHQIPËRISË?
Historia e RENEA-s nis përpara se vetë emri i saj të ekzistonte. Në vitin 1982, në strukturat e Ministrisë së Brendshme krijohet Batalioni 326, një njësi e konceptuar fillimisht për ndërhyrje antidemonstratë. Në përbërje të tij përzgjidhen ushtarakë profesionistë, efektivë të Policisë dhe Gardës së Republikës, por edhe specialistë të ardhur nga struktura të tjera, mes tyre zhytës të Marinës Luftarake. Ishte një trupë e përzgjedhur për të përballuar situata që kërkonin disiplinë, përgatitje dhe reagim të shpejtë.
Deri në vitin 1990, angazhimi kryesor i Batalionit 326 lidhej me ruajtjen e rendit në aktivitetet sportive dhe, veçanërisht, në stadiume, në një kohë kur tensionet sociale dhe ekonomike po shtoheshin dhe dhuna mes tifozëve ishte kthyer në një problem gjithnjë e më të madh. Por historia e kësaj strukture do të njihte edhe përballje të tjera. Në fillim të viteve ’80, ajo u angazhua edhe në raste të konflikteve të armatosura, duke shënuar ndërhyrjet e para të një strukture që do të shndërrohej më vonë në forcën speciale të Policisë Shqiptare.
Por Shqipëria që hynte në vitet ’90 ishte një vend krejt tjetër. Rënia e regjimit komunist dhe vendosja e pluralizmit politik sollën ndryshime të thella në institucionet e shtetit. Në përpjekjen për të shkëputur administratën nga e kaluara komuniste, struktura të rëndësishme të drejtësisë, hetimit dhe rendit u dobësuan, ndërsa vendi hyri në një periudhë pasigurie dhe transformimi të shpejtë.
Në këtë vakum institucional, kriminaliteti i organizuar filloi të zgjerohej. Shqipëria u përball me rritjen e vrasjeve, rrëmbimeve, trafikut të armëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa grupet kriminale shqiptare nisën të lidhen gjithnjë e më shumë me rrjete kriminale jashtë vendit.
Batalioni 326 tashmë përballej me një realitet për të cilin nuk ishte krijuar. Nuk mjaftonte më një forcë e specializuar për kontrollin e turmave. Përballë ishin persona të armatosur, pengmarrje, atentate dhe situata ku kërkohej ndërhyrje e specializuar, e shpejtë dhe me rrezik të lartë. Një strukturë e vetme nuk mund të vazhdonte të mbante njëkohësisht të dyja këto role.
Kështu, në nëntor të vitit 1991, pas një procesi të rreptë përzgjedhjeje, nga rreth 600 efektivë të Batalionit 326 u përzgjodhën rreth 80 operatorë, të cilët do të formonin bërthamën e asaj që do të njihej si RENEA – Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur.
Ishte një ndarje që shënonte fillimin e një epoke të re. Një pjesë e efektivëve të 326-s, së bashku me pjesëtarë të strukturave të tjera elitë, do të formonin më pas Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërsa RENEA do të merrte një mision krejt tjetër: përballjen me situatat më të rënda dhe më të rrezikshme me të cilat mund të përballej Policia e Shtetit. Nga stadiumet te pengmarrjet. Nga kontrolli i turmave te personat e armatosur. Nga një repart i krijuar për një realitet tjetër, te një forcë speciale e ndërtuar për Shqipërinë e re. Këtu nis historia moderne e RENEA-s.
KUR SHTETI HUMBI KONTROLLIN
Krimi i organizuar shqiptar nuk është më ai i viteve ’90. Ai ka ndryshuar mënyrën e veprimit, është bërë më i sofistikuar dhe ka adoptuar mjete e metoda të reja. Por bashkë me të ka ndryshuar edhe RENEA. Nga një forcë që në vitet e vështira mbështetej mbi përvojën, guximin dhe vetëmohimin e efektivëve, në një njësi që ndër vite ka investuar në trajnime, teknologji, pajisje mbrojtëse dhe mënyra të reja ndërhyrjeje.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Vitet me të vështira, unë po e filloj nga viti ’97, ku RENEA është përballur për të vendosur rendin dhe sigurinë publike, i cili kishte dalë jashtë kontrollit për shkak të bandave të armatosura dhe trazirave të atyre viteve. Duhet theksuar se në ato vite RENEA më shumë kishte zemrën e madhe, trimërinë, vetëmohimin, për të zgjidhur situatat e vështira. Por e vërteta është se nuk kanë qenë të mirë pajisur, të paktën pajisjet mbrojtëse individuale, armatimi individual, por normalisht edhe trajnimi i atyre kohëve nuk ka qenë trajnim bashkëkohor, ashtu ishte koha. Pas viteve ’97, fillimi i viteve ’99, me ardhjen e misionit MAPE në Shqipëri, që kishte si mision trajnimin e Policisë së atyre viteve dhe normalisht edhe repartin special RENEA, që filloi të trajnohej dhe të shikonte një eksperiencë bashkëkohore se si mund të zgjidheshin situatat pa pasur dëme. Që në atë kohë ka filluar evoluimi, ndryshimi i pajisjeve të Njësisë Speciale RENEA. Ato vite është pajisur me ndihma të ardhura nga ky mision. Me pajisje speciale mbrojtëse individuale dhe kolektive. Janë pajisje të asaj kohe që ne i kemi përdorur deri vitet e fundit. Pastaj ka qenë modernizimi i këtyre pajisjeve dhe marrja e pajisjeve bashkëkohore, qoftë edhe i ndryshimit të armatimit. Ka qenë modeli i vjetër i armatimit, që ka ndryshuar në vitet 2015-2016. RENEA është pajisur me pajisje individuale mbrojtëse, kolektive mbrojtëse dhe aktualisht, pothuajse pas 10 vitesh, ne jemi në fazën e modernizimit dhe pajisjes së Njësisë Speciale RENEA me pajisjet më të mira bashkëkohore.
Modernizimi i RENEA-s nuk është kufizuar vetëm te armët dhe pajisjet. Ai ka prekur edhe ambientet ku stërviten dhe punojnë efektivët, mënyrën e përgatitjes dhe mbi të gjitha bashkëpunimin me njësitë më të njohura speciale në Evropë. Nga eksperienca e marrë ndër vite, deri te stërvitjet e përbashkëta me GSG9 gjermane, RENEA sot synon të jetë pjesë e të njëjtit standard operacional me homologët e saj evropianë.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Ne këtu jetojmë dhe punojmë në disa ambiente prej vitit 2020, që e them me bindje që i lakmojnë të gjithë homologët tanë, kush na ka ardhur për vizitë në këtë repart. Pra njësoj si modernizimi i ambienteve, kushteve të mira të punës dhe të jetesës që ka Njësia Speciale RENEA, ka ardhur edhe modernizimi i pajisjeve të reja që ju do t’i shikoni gjatë demonstrimeve që ne do të bëjmë sot, por edhe nga filmimet që ka RENEA. Aktualisht unë e them me bindje që RENEA është e mirëpajisur, madje më e mirëpajisura në rajon nuk e diskutoj, por po pajisemi me të gjitha pajisjet që kanë forcat tona homologe. Ne kemi pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me forcat speciale gjermane GSG9. Ai bashkëpunim ka filluar si trajnim për efektivët dhe aktualisht kemi kaluar në një fazë tjetër, që nuk kemi nevojë më të vijnë e të na trajnojnë, por kanë ardhur këtu dhe kemi bërë stërvitje të përbashkëta. Pra, kanë qenë trajnues nga njësia speciale GSG9 dhe trajnues nga RENEA që kanë zhvilluar trajnime këtu në repartin tonë, që janë angazhuar edhe instruktorët tanë dhe GSG9 është shprehur shumë e kënaqur për përvojën dhe shkëmbimin e eksperiencës që ka pasur me njësinë speciale RENEA. Ne pa dyshim që na ka bërë që të zhvillojmë RENEA-s me pajisje, pasi GSG9 hyn te njësitë elitë të Bashkimit Europian dhe ne pothuajse po pajisemi me të njëjtat pajisje që ka GSG9. Dua të shpreh këtu patjetër mbështetjen që kemi pasur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nga drejtori i Policisë së Shtetit, por qoftë edhe nga ministri dhe qeveria, për miratimin e fondeve që kanë miratuar për këtë njësi, për t’u pajisur, për t’u modernizuar dhe për të qenë e aftë për të zgjidhur çfarëdolloj detyre, çfarëdolloj shkalle vështirësie që mund të ketë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Por transformimi i RENEA-s nuk është vetëm histori e së shkuarës. Sot, brenda repartit, modernizimi mund të shihet në çdo detaj. Që nga ambientet e stërvitjes, e deri të uniforma e armatimi. RENEA është modernizuar sepse ka ndryshuar edhe natyra e rrezikut me të cilin përballet. Por kërcënimi nuk vjen gjithmonë nga një emër i njohur i botës së krimit. Një situatë ekstreme mund të nisë edhe nga një person pa precedent kriminal dhe, brenda pak minutash, të shndërrohet në një ngjarje që kërkon ndërhyrjen e një force speciale.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Patjetër që ka persona që duhet domosdoshmërisht që të veprojë RENEA. Por mund të krijohen edhe persona që s’kanë fare të shkuar kriminale dhe mund të kthehen në një ngjarje shumë të rëndë kriminale që duhet ta zgjidhë RENEA. Prandaj dhe RENEA gjatë gjithë kohës trajnohet dhe është në gatishmëri. Dhe unë e them gjithmonë me çunat, sepse unë çuna u them operatorëve, që duhet ta kuptojë se çfarë do të thotë një forcë speciale. Është një forcë që bën një trajnim special, për të përdorur pajisje speciale. Pra është i lidhur trajnimi special me pajisjet. Ti mund të trajnohesh por po nuk pate pajisje, nuk mund të zgjidhësh detyra të shkallës së lartë të vështirësisë.
Prandaj, për RENEA-n, gatishmëria nuk lidhet vetëm me atë se kush është personi që ndodhet përballë. Lidhet me aftësinë për t’u përballur me shkallën e rrezikut. Dhe pikërisht këtu merr kuptim ajo që është ndoshta filozofia bazë e një force speciale: Trajnimi dhe pajisjet duhet të ecin së bashku. Sepse një operator mund të jetë i përgatitur në nivelin më të lartë, por për të përballuar një situatë të shkallës së lartë të vështirësisë, duhet të ketë edhe mjetet që i mundësojnë ta zbatojë atë përgatitje në terren.
RREZIKU PAS MUREVE
Njerëz të armatosur që kërcënojnë brenda ambienteve të mbyllura, por edhe rastet kur mbajnë peng persona të tjerë, konsiderohet si ndërhyrjet më të vështira. Por edhe operacionet për arrestimin e personave që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe që i shmangen drejtësisë për vite me radhë, kanë një risk të madh. E për RENEA-s raste të tilla ka pasur shumë.
Një operacion i rëndësishëm ishte ai i vitit 2019 në Selenicë të Vlorës, kur u arrestua Tesilvan Basho. Por edhe arrestimi i Fadil Tërnovës në vitin 2020 në Bulqizë, apo bindja për t’u dorëzuar pas negociatave e Ronald Kryemadhit në Kamzë në të njëjtin vit. Një tjetër operacion i një shkalle të lartë rrezikshmërie u zhvillua në Tiranë, pas informacioneve që në një apartament pranë ish-Parkut të Autobusëve, fshihej i shumëkërkuari Fatmir Hyseni, i njohur si Doqja. Ndonëse ai vetë nuk u gjet në adresën ku ishte dhënë informacioini, aty RENEA arrestoi dy vëllezër që po ashtu ishin në kërkim për vrasje.
Një tjetër operacion i vështirë ishte edhe ai i Oroshit në Pukë, ku dy persona që konsideroheshin me prirje esktremiste, ishin izoluar brenda një shtëpie, të armatosur rëndë. Por negociatat e vazhdueshme dhe rrethimi nga forcat speciale RENEA, zgjidhi këtë situatë pa dëmtimin e askujt, duke shmangur një rrezik potencial edhe për vetë efektivët e Policisë.
Por pa dyshim që ngjarja më e vështirë e viteve të fundit, konsiderohet ajo e Elbasanit e shtatorit të vitit 2020. Lefter Zhidru, 71-vjeçari që provoi për 5 orë rresht, jo vetëm t’i bënte rezistencë Policisë, por edhe t’i vriste, duke i qëlluar drejtpërdrejt me armë, mbeti i vrarë brenda shtëpisë, që e kishte kthyer në një depo armësh e municioni.
Pasi provuan çdo tentativë të mundshme për ta bindur që të dorëzohej, duke negociuar për orë të tëra me të në distancë, madje duke folur edhe më të bijën e tij që ndodhej jashtë shtetit, RENEA më pas është futur në aksion. “Mos mu afroni se ju hodha në erë…”, ky ishte një nga kërcënimet e vazhdueshme të 71-vjeçarit, që duket se nuk i kishte vetëm fjalë. Në shtëpi kishte futur mjaftueshëm municion, madje dhe eksploziv dhe bombola gazi, që mund të shpërthenin në rast të ndonjë veprimi të nxituar. Pas të shtënave të fundit, teksa grupi i RENEA-s po i afrohej shtëpisë së tij, 71-vjeçari i ka qëlluar drejtpërdrejt. Plumbat fatmirësisht kanë ngecur në mburojën kolektive antiplumb që u ka shpëtuar jetën efektivëve speciale. E ky ka qenë edhe momenti që grupi që po shkonte drejt banesës ka marrë urdhër për të qëlluar.
Por përtej uniformës, pas armëve, pajisjeve dhe operacioneve, ekziston një dimension i RENEA-s që nuk shihet lehtë nga jashtë. Pesha njerëzore e kësaj detyre. Për një komandant, përgjegjësia nuk mbaron kur nis operacioni, ajo vazhdon deri në momentin kur çdo efektiv kthehet i sigurt.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Frika më e madhe që ka komandanti i RENEA-s është që të mos dëmtohet njeri. Unë nuk dua të dëmtohet njeri. Qoftë nga civilët dhe efektivët, por qoftë edhe nga pala kundërshtare. Unë jam komandant i RENEA-s prej një kohë të gjatë dhe e vërteta është se kur nuk jam vetë dhe kam njerëz në shërbim, unë nuk fle. Gjatë gjithë kohës komunikoj me ta, jam pjesë gjatë gjithë kohës derisa të përfundojë shërbimi.
Dhe kjo frikë nuk është vetëm një mundësi teorike. Në historinë e kësaj njësie ka emra efektivësh që kanë dalë në shërbim dhe nuk janë kthyer më. Ata janë pjesë e historisë së RENEA-s, por mbi të gjitha janë pjesë e kujtesës së njerëzve që kanë shërbyer krah tyre.
Dëshmori i parë i RENEA-s është efektivi Luan Haxhiaj. Ai u aksidentua për vdekje teksa po shkonte për një shërbim në Pukë, më 20 nëntor të vitit 1990. Në atë kohë ai ishte pjesë e Batalionit 326, që më pas mori emrin RENEA.
Më 22 shkurt të vitit 1991 vritet në krye të detyrës një tjetër efektiv i forcave RENEA. Lulëzim Sulollari, nga fshati Lin i Pogradecit humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës policore, në përballje për ruajtjen e rendit gjatë ngjarjeve të trazuara të asaj kohe.
Arben Ujka, një tjetër efektiv i forcave speciale, u vra më 22 gusht të vitit 1993 gjatë një aksioni policor në Shkodër. Në moshën 22-vjeçare, efektivi i RENEA-s mori pjesë në një operacion të vështirë për kapjen e një personi të armatosur dhe të rrezikshëm. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ai u plagos rëndë dhe nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Edhe efektivi tjetër i forcave speciale RENEA, Elham Elezi u vra në krye të detyrës më 9 korrik të vitit 1998. Ai humbi jetën në moshën 29-vjeçare gjatë një operacioni të vështirë për lirimin e pengjeve në zonën e Oxhakut në Tiranë.
Një vit pas superoperacionit të Lazaratit, ku rolin kryesor e pati Njësia Speciale RENEA, vjen humbja e radhës pikërisht në radhët e tyre. Më 24 qershor 2015, vritet në krye të detyrës Ibrahim Basha. Furgoni “Volkswagen”, ku gjendeshin gjashtë efektivë të RENEA-s, u qëllua nga distanca.
Por edhe kur operacioni përfundon dhe uniforma hiqet, gjithçka që ka ndodhur nuk zhduket menjëherë. Disa ndërhyrje mbeten në kujtesë, rikthehen në mendje dhe analizohen vazhdimisht, në kërkim të një gabimi që mund të korrigjohet ose të një vendimi që mund të shërbejë për operacionin e radhës.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: E vërteta është që ka pasur raste kur na ka ngelur në mendje diçka. Normalisht gjatë gjithë kohës e mendojmë, e bëmë kështu, po sikur ta bënim kështu… nuk diskutohet që ngelet. Por aftësia jonë është që ta heqim sa më shpejt nga mendja. Sepse duhet hequr nga mendja për të vazhduar përpara.
Në fund të një dite të tillë, ekziston edhe një tjetër realitet. Pas uniformës është familja, e cila e di se një telefonatë në çdo orë të natës mund ta nxjerrë njeriun e tyre nga shtëpia dhe ta çojë drejt një situate ku rreziku është real.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Familja e merr vesh, sepse ka pasur raste që jam zgjuar nga gjumi dhe kam ikur. Ju them thjeshtë që jam në shërbim dhe e vërteta është që kur jam në shërbim as ata nuk më shqetësojnë. Nuk më marrin në telefon. Mund të më shkruajnë një mesazh pas disa orësh për të më pyetur nëse është gjithçka mirë. Edhe ata mbase janë mësuar me këtë jetë dhe e kanë pranuar. Normalisht që janë të merakosur, por nuk i kam shqetësim.
Nëse krimi evoluon çdo ditë, a mund të qëndrojë një forcë speciale e njëjtë? Sigurisht që jo. Edhe RENEA ka evoluar, është modernizuar dhe stërvitet çdo ditë për situatat më të vështira. Stërvitje të tilla ka pasur vazhdimisht, madje në bashkëpunim edhe me të huajt. Si kjo situatë në Malin e Dajtit. (pamje nga stërvitja në Bizë) Apo kjo tjetra në Aeroportin e Rinasit. (pamje nga stërvitja në Rinas) Dhe shumë e shumë situata të tjera, për të cilat RENEA kërkon të përmirësohet çdo ditë dhe të jetë e gatshme për t’u përballur me ngjarjet më të rrezikshme.
Por një forcë speciale nuk përgatitet vetëm për atë që ka ndodhur. Ajo duhet të jetë gati edhe për atë që mund të ndodhë. Dhe ndër skenarët më të vështirë, me të cilët përgatitet RENEA është ai i një “qitësi aktiv”. Një situatë në një hapësirë publike ku një person i armatosur kërcënon jetën e qytetarëve. Në këto raste, koha bëhet faktori më kritik. Çdo minutë që kalon mund të nënkuptojë jetë të rrezikuara dhe pikërisht për këtë arsye, përgatitja nis shumë përpara se të vijë alarmi. RENEA stërvitet në ambiente të ndryshme publike, njeh terrenin dhe skenarët e mundshëm, në mënyrë që në një situatë reale reagimi të jetë sa më i shpejtë dhe i koordinuar.
Janë skenarë që askush nuk dëshiron t’i shohë të ndodhin, por që një forcë speciale nuk ka luksin të mos jetë e përgatitur për ta.
Altin Dardha, komandant i RENEA-s: Skenarët dihet që janë ato që po ndodhin sot në botë. Janë skenarët që ne u themi me qitës aktivë. Qitësi aktiv presupozohet që është një ngjarje që zhvillohet në publik dhe qëllohet drejt civilëve. Këto janë situata që koha vret. Sa ne të bëhemi gati, sa të shkojmë është pak kohë e gjatë. Shqetësimi jonë ky është. Ne përgatitemi për këto situata. Stërvitjen e fundit e kemi bërë tek qendra tregtare TEG, me qëllim për t’u stërvitur kundrejt këtyre situatave. Për ta njohur qendrën, që është një nga më të mëdhatë, për ta ditur se si duhet të veprohet, sepse edhe aty ka pasur ngjarje, siç ishte grabitja e argjendarisë para disa vitesh.
Për më shumë se tri dekada, Shqipëria ka ndryshuar. Kanë ndryshuar armët, kanë ndryshuar bandat, kanë ndryshuar mënyrat e krimit. Dhe bashkë me to ka ndryshuar edhe RENEA. Por misioni ka mbetur i njëjtë.
Të shkosh atje ku rreziku është më i madh. Të hysh kur të tjerët duhet të qëndrojnë jashtë. Të marrësh vendimin kur koha nuk të fal. Dhe, nëse është e mundur… të kthesh të gjithë gjallë. Sepse askush nuk e di se kur do të vijë telefonata e radhës.
Nuk dihet ku do të jetë. Nuk dihet kush do të jetë pas derës. Nuk dihet sa sekonda do të ketë në dispozicion. Dihet vetëm një gjë. Kur shteti nuk ka më kohë për të humbur… RENEA duhet të jetë gati.
Gjithmonë.

