Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga RENEA te kuajt: Historia e “kaubojit” shqiptar

schedule11:26 - 16 Shtator, 2026

schedule 11:26 - 16 Shtator, 2026

Shkëlzen Brahaj ka kaluar 22 vite të jetës së tij në uniformën e Forcave Speciale RENEA, por sot rutina e tij është krejt tjetër: nis ditën mes kuajve, ushqimit, stërvitjes dhe kujdesit për 18 kafshët që i konsideron pjesë të familjes.

Ai e quan veten “kaubojin e parë shqiptar” dhe pasioni për kuajt nuk është i ri. Lidhjen e parë me ta e ka krijuar që në fëmijëri, në shtëpinë e xhaxhait, ndërsa sot ka ndërtuar një jetë të tërë rreth tyre.

Karotat dhe panxhari janë pjesë e përditshmërisë së tij, ndërsa ushqimi i kuajve kërkon kujdes dhe orare të përcaktuara. Për një kalë, sipas Brahajt, shpenzohen rreth 250 euro në muaj vetëm për ushqim.

Mes 6 hamshorëve dhe pelave, çdo kafshë ka karakterin e vet. Hazari është i privilegjuari i tij dhe mund të qëndrojë edhe jashtë gjatë natës, ndërsa hamshorët kërkojnë vëmendje të veçantë për të shmangur incidentet.

Por dashuria për kuajt për Shkëlzenin është shumë më tepër se një pasion. Ai i konsideron besnikë, shokë dhe bashkudhëtarë, ndaj kujdesi për ta është pjesë e pandashme e jetës së tij.
Në qendrën e tij ka edhe kuaj arabë, një racë që ai e quan të jashtëzakonshme për shpejtësinë, rezistencën dhe përshtatjen me kushtet e vështira.

Por pas kësaj jete të qetë me kuajt fshihet një histori krejt tjetër. Shkëlzen Brahaj tregon se largimi nga RENEA, pas 22 vitesh karrierë, ka qenë një moment i vështirë për të dhe familjen e tij.
Ai rrëfen se brenda 24 orëve është njohur me një urdhër largimi, të cilin thotë se e ka refuzuar dhe ka kërkuar sqarime. Sipas tij, më pas i është komunikuar se do të transferohej.

Brahaj kujton edhe vitin 1998, kur thotë se ishte mes efektivëve që mbrojtën repartin e Zall-Herrit. Ai është certifikuar gjithashtu për një kurs antiterrorizmi në SHBA. Sot, pas një karriere të gjatë ushtarake, ai ka zgjedhur një tjetër betejë: të ndërtojë jetën mes kuajve, familjes dhe pasionit të tij të madh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!