Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Gjërat Tona – Vrasjet e Rrëshenit/ Një familje – 3 vjet, 3 të vrarë

schedule20:49 - 13 Shtator, 2026

schedule 20:49 - 13 Shtator, 2026

VRASJET E RRËSHENIT

Deri në shtator të vitit 2023, disa hasmëri të vjetra dukeshin sikur kishin mbetur në heshtje në Rrëshen. Për vite me radhë, familjet që kishin qenë në konflikt zgjodhën të rrinin në qetësi.

Një marrëveshje e pashkruar, një lloj paqeje e brishtë, që mbajti larg armët. Por në botën e hasmërive, heshtja mund të mos zgjasë përgjithmonë.

Ndonjëherë do të thotë vetëm pritje. Dhe pas 28 vitesh, një konflikt i vjetër do të rihapej. Në mars të vitit 2023 u dha sinjali i parë.

Ndodh një përplasje në rrugët e Rrëshenit. Plumbat u zbrazën drejt një makinë, por fatmirësisht pa shënuar viktima. E megjithatë, kjo ngjarje, të paktën sipas hetimeve të Policisë, duket se i hapi rrugë, të paktën edhe tri vrasjeve që tronditën qytetin e vogël gjatë 3 viteve të fundit.

Konflikti nuk mbyllet aty. Gjashtë muaj më vonë, më 26 shtator 2023, në orën 10:40 të paradites, një makinë e zezë afrohet pranë një lokali në qendër të Rrëshenit. Brenda saj ndodheshin persona të armatosur. Objektivi ishte ulur në një tavolinë.

Ishte Martin Bardhi, 59 vjeç. Pranë tij janë të afërmit. Makina afrohet, autorët nxjerrin armët dhe qëllojnë drejt tyre.

Ky ishte momenti kur në Rrëshen u rikthye frika. Martin Bardhi mbetet i vrarë, tre personat që ndodheshin me të plagosen. Dhe gjithçka ndodh përballë Komisariatit të Policisë, nën një kamerë sigurie, që në fakt nuk i erdhën në ndihmë zbardhjes së ngjarjes.

Atentatorë që sfiduan dhe u duk se nuk patën frikë as nga Policinë. Autorët largohen për 11 kilometra, derisa i vënë flakën makinës dhe zhduken.

Nis një hetim intensiv me pistë kryesore hakmarrjen. Por derisa u duk se Policia kishte tashmë një motiv, duhej të kishte edhe të dyshuar. Kush mori hak? Ndaj kujt dhe për kë? E megjithatë, ngjarja edhe sot vijon të mbetet pa autor.

E kur një vrasje e dyshuar për hakmarrje nuk zbardhet, ndodh që të pasohet nga të tjera krime. Ashtu sikurse ndodhi 18 muaj më vonë. Më 13 janar 2025, në rrugën Fier–Vlorë, pranë Novoselës, ekzekutohet 30-vjeçari Kristian Bardhi, nipi i Martin Bardhit. Djali i vëllait. Një tjetër vrasje. Një tjetër anëtar i së njëjtës familje dhe një tjetër dosje pa autor.

Por historia nuk mbaron këtu. Në Rrëshen ndodh një tjetër ekzekutim më 3 shtator 2026. Sërish plumbat goditën të njëjtën familje. Viktima është 65-vjeçari Viktor Marku. Vëllai i Martinit dhe xhaxhai i Kristianit.

Tre burra të së njëjtës familje. Tri vrasje dhe për Policinë e njëjta pistë hetimore. Hakmarrja.

NJË FAMILJE – 3 VJET, 3 TË VRARË

Vitet e fundit në Rrëshen, por dhe në Tiranë, kanë ndodhur vrasje e plagosje që nga Policia janë konsideruar si një sagë hakmarrjeje mes fiseve Reçi dhe Gjini. Nga të dy palat ka pasur disa të vrarë. Por duket se fisi Reçi ka pasur një hasmëri edhe më të vjetër, atë me familjen Bardhi, e cila për vite me radhë u duk sikur ishte lënë në heshtje. Ndërsa mes familjeve Gjini dhe Bardhi, përveç armikut të përbashkët, nuk ka pasur asnjë lidhje tjetër. Fisi Reçi dhe Bardhi janë me emër në Mirditë dhe duket se kjo ishte arsyeja pse kishin vendosur të linin pas atë që kishte ndodhur vite më parë. Derisa kjo hasmëri u zgjua dhe tashmë nuk dihet se kur do të ndalet. Kjo u dëshmua edhe mbrëmjen e 13 janarit 2025, kur në rrugën Fier – Vlorë, në afërsi të Novoselës, u ekzekutua 30-vjeçari Kristian Bardhi, nipi i Martin Bardhit.

-Dhe motivi i hakmarrjes doli sërish në skenë mëngjesin e 3 shtatorit 2026, kur në Rrëshen u qëllua për vdekje Viktor Bardhi. Në 3 vjet u shënuar 3 viktima nga e njëjta familje.

Për të treja këto vrasje, grupi hetimor ka të njëjtën tablo, të cilën e ndërtoi fillimisht në vitin 2023, iu rikthye në vitin 2025 dhe po e sheh edhe sot pas vrasjes së fundit në Rrëshen. Por edhe pse ka të njëjtët emra që shoqërohen dhe dyshohet përher, hetimi ngec te provat. Asnjëherë nuk mjaftojnë për të vënë dikë para drejtësisë. Nuk mjaftuan kur u vra Martin Bardhi, as kur u vra nipi i tij Kristiani e duket se së fundmi as për të vëllain, Viktor Bardhi. Policia thotë se ka të shoqëruar dhe motiv. Megjithatë ende nuk ka një të dyshuar konkret. Të paktën jo zyrtarisht. E për aq kohë sa nuk bëhet drejtësi, koha ka treguar se krimet nuk ndalojnë. Kjo u dëshmua gjatë këtyre 3 viteve. Ndonëse askush nuk e thotë zyrtarisht, konflikti mes dy fiseve, daton që prej vitit 1995-.

Pas viteve ’90, rrethi i Mirditës, por kryesisht qyteti i Rrëshenit, dominohej nga dy familje. Reçi dhe Bardhi. Familje me reputacion, apo siç thuhet atje, familje me zë. Në vitin 1995 nisi një përplasje në distancë mes tyre. Familja Bardhi, nga një fis i madh me emër, që ishin vendosur në Ndërfushas, në krahun e djathtë të lumit Fan, nisën një konflikt me Ilir Reçin. Iliri, që në atë kohë konsiderohej si një prej të fortëve të Rrëshenit, ishte kushëriri i Kastriot Reçit, por më shumë se kaq ishte shoku i tij i ngushtë. Përplasjen e fundit Iliri e pati me një nga djemtë e familjes Bardhi, konkretisht një nga 6 vëllezërit e Martin Bardhit që u vra para Policisë. Ilir Reçi, në një formë edhe fyese, i kërkon atij që asnjë nga fisi i tij që jetonte në Ndërfushas, të mos e kalonte lumin Fan dhe të futej në Rrëshen. Qyteti konsiderohej nga fisi Rreçi si territori i tyre. Ky urdhër i Ilir Reçit, i shkon në vesh Pjetër Bardhit, në atë kohë oficer ushtrie, që ishte me shërbim në Shkodër. Ai niset menjëherë drejt Rrëshenit dhe në qendër të qytetit ekzekuton me armën e shërbimit Ilir Reçin. Pjetër Bardhi u shpall në kërkim dhe u dënua në mungesë për këtë vrasje, por nuk u arrestua asnjëherë dhe nuk bëri asnjë ditë burg. Jetoi në arrati derisa dënimi u parashkrua dhe tashmë është i lirë. E megjithëse kishte ndodhur kjo ngjarje, mes dy familjeve u vendos një lloj paqeje e heshtur dhe nuk patën më asnjë konflikt deri mbrëmjen e 26 marsit 2023, kur djali i Martin Bardhit, u konfliktua për një parakalim me nipin e Kastriot Reçit.

“Gjërat Tona” kërkoi një informacion zyrtar në Gjykatën e Lezhës, në lidhje me vendimin e dhënë për Pjetër Bardhin pas vrasjes së ndodhur në vitin 1995. Por duket se ky vendim është sekret hetimor, për aq kohë sa vrasja e Martin Bardhit është në hetim nga Prokuroria.

Gjykata e Lezhës

Sa më sipër ju informojmë se nga verifikimi rezulton se vendimi penal për këtë shtetas ka në përmbajtje të dhëna sensitive dhe personale në lidhje edhe me persona të tjerë apo deklarime të dhëna për interesa të gjykimit apo ngjarjes.

Në këto kushte, duke qene se rasti për vrasjen e shtetasit Martin Bardhi është në hetim nga prokuroria dhe mund të përbëjë sekret hetimor referuar përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale, për marrjen e këtij vendimi ju sugjerojmë që t’i drejtoheni Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Kjo, pasi vendimi i kërkuar nga ana juaj mund të ndikojë në mbarëvajtjen e hetimeve penale duke qenë se çështja është në fazën e hetimeve paraprake.

Për rrjedhim për këtë shkak nuk mund të vendoset në dispozicionin vendimin penal i dhënë për shtetasin Pjetër Bardhi”.

Mbrëmjen e 26 marsit, 41-vjeçari Sajmir Reçi, nipi i Kastriot Reçit, u qëllua me armë, por arriti t’u shpëtojë plumbave. Policia tha se shkak i konfliktit që u pasua me përdorimin e armëve ishte parakalimin me makinë në rrugën kryesore të qytetit. Sajmir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin në mes të qytetit. Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi, kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Sajmir Reçi. Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW, çka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun pa marrë plagë. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shpalli në kërkim babë e bir, Enrik dhe Martin Bardhi, si dhe nipin e këtij të fundit, Kristian Bardhin, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kërkimet intensive bënë të mundur ndalimin e njërit prej të kërkuarve. U arrestua 59-vjeçari Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi vijuan të ishin në kërkim për shumë kohë.

Babë e bir u akuzuan për vrasje në bashkëpunim të mbetur në tentativë dhe deri para një muaji 59-vjeçari Martin Bardhi ndodhej në burg. Por akuzua ndaj tij u ndryshua me kërkesë të prokurorisë. Bardhi paraqiti si provë disa pamje filmike që provonin se ai kishte qenë diku tjetër në momentin e ngjarjes. Alibia e tij duket se bindi Prokurorinë e Lezhës që kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitje”.

Kjo ngjarje duket se u pasua me vrasjen e Martin Bardhit më 26 shtator. Për këtë arsye, familja Reçi ishte e dyshuara kryesore për grupin hetimor. U shoqëruan disa pjesëtarë të familjes, edhe pse vetë Sajmir Reçi nuk u gjet ditën e ngjarjes. Ata mohuan përfshirjen në krim, megjithatë gjithçka është në verifikim e sipër.

Të dy këto ngjarje, si vrasja e ’95-ës, ashtu edhe konflikti i armatosur i 26 marsit 2023, janë një indicie e mjaftueshme për grupin hetimor, që hetimet të orientohen drejt një vrasje për motive hakmarrjeje. Kjo ishte arsyeja pse menjëherë pas vrasjes së Martin Bardhit, Policia shkoi për të shoqëruar pjesëtar të familjes Reçi. Dhjetë prej tyre u morën në pyetje, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Megjithatë, pas disa orësh të gjithë të dyshuarit u lanë të lirë pasi dhanë sqarimet e tyre. Ata mohuan gjithçka. Nuk kanë parë, nuk kanë dëgjuar dhe nuk dinë gjë. Përgjigje standarde këto nga shumica e të shoqëruarve për ngjarje të tilla. Por Prokuroria vazhdon hetimet me këtë pistë kryesore. Hakmarrjen. Sigurisht pa përjashtuar edhe pista të tjera që mund të dalin gjatë procesit të verifikimeve.

VRASJA E MARTIN BARDHIT

Çka mbeti pas këtyre krismave në orën 10:40 është kjo tavolinë.

Martin Bardhi po pinte kafe në lokalin e tij. Nuk kishte shumë që ishte ulur aty. Bashkë me të ishin edhe dy të afërmit e nipi. Pas shtëpisë, duket se Martini këtë vend e konsideronte më të sigurtin. Përballë Komisariatit të Policisë së Rrëshenit, para spitalit dhe poshtë një kamere sigurie që e kishte vendosur vetë. E megjithatë ajo që ndodhi më 26 shtator 2023 dëshmoi të kundërtën. Përveç pasigurisë edhe në një vend të sigurt, dëshmoi agresivitetin e vrasëse. Guximin e tyre për të sfiduar Policinë duke realizuar një masakër para derës së tyre. E ata sfidën e vazhduan edhe për 11 kilometra të tjera. Pas vrasjes vijuan rrugën për 15 minuta deri në vendin ku i vunë flakën makinës. Policia edhe pse ishte pranë tyre kur shkrepën armët, arriti të gjejë vetëm makinën që po digjej. Asgjë më shumë. Rrugët që të çojnë drejt Mirditës dhe qyteti i Rrëshenit u blinduan nga RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Një helikopter u ngrit mbi male për të pikasur vrasësit. Megjithatë përveç zjarrit që shkrumbonte makinën nuk pa asgjë tjetër.

Makina “Jeep” ngjyrë e zezë erdhi nga qendra e qytetit. Atentatorët duket se ishin informuar saktë për vendin ku ishte ulur objektivi i tyre. Teksa makina po i afrohej lokalit, atentatorët nxorën armët dhe fillimisht qëlluan në ecje. Më pas, për pak çaste makina ndaloi dhe dy persona të maskuar zbritën duke iu afruar tavolinës ku ndodhej Martin Bardhi dhe qëlluan edhe nga afër. Nuk kursyen as 3 të afërmit që ndodheshin me të. Saktësia në qitje është e dukshme nga gjurmët që lanë në vendngjarje. Plumbat nuk thyen asnjë xham. Të gjithë u drejtuan tek tavolina dhe shenjat shihen qartë.

Plumbat hodhën në tokë gjithçka. Lanë të vdekur në vend Martin Bardhin e të tre ata që ishin në tavolinë me të u plagosën. Të afërmit e 59-vjeçarit, Oltion Gjini, Ilir Bardhoku dhe nipi i tij, Indrit Bardhi u plagosën rëndë. Fakti që gjendeshin në derë të spitalit nuk ndikoi aspak. Për Martin Bardhin nuk kishte asnjë shpresë, pasi ndërroi jetë në vend. Ndërsa tre të plagosurit e morën ndihmën e para në urgjencën e spitalit të Rrëshenit, por për shkak të gjendjes së rëndë u nisën me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë.

Autorët pasi u siguruan për realizimin e planit të tyre vijuan rrugën drejt daljes së qytetit. Kaluan pranë fshatit Ndërfushas, ku jeton pjesa më e madje e fisit Bardhi dhe vazhduan rrugën drejt fshatit Gëziq për 14 minuta derisa i vunë flakën makinës. Nga aty, mendohet se kanë zbritur kodrën në këmbë, duke dalë në autostradë. Prej aty mund të jenë larguar me ndonjë mjet tjetër që i priste e mbase gjatë rrugës janë shkëmbyer edhe me makinat e Policisë apo edhe me postblloqe që në raste të tilla janë të shumtë.

VRASJA E KRISTIAN MARKUT

Mbrëmjen e 13 janarit 2025, 30-vjeçari Kristian Marku, i njohur me emrin Kristian Bardhi, ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij “Volkswagen”, nga Fieri në drejtim të Vlorës. Atentatorët, që mendohet të kenë qenë 3 persona, kanë qenë duke e pritur tek mbikalimi i Novoselës dhe siç duket janë informuar nga bashkëpunëtorë të tjerë për lëvizjet e të riut nga Rrësheni. Sapo kanë parë mjetin e 30-vjeçarit që ka kaluar pranë tyre, ata i janë vënë pas dhe pasi i janë afruar paralel, në ecje e kanë qëlluar 13 herë, dyshohet me një armë automatike. Kristjan Bardhi u godit nga 3 plumba dhe më pas humbi kontrollin, duke sjellë përplasjen e makinës së tij me trafikndarësen.

Autorët u larguan me shpejtësi dhe rreth një kilometër larg vendit të ngjarjes i vunë flakën automjetit “Golf” dhe me një mjet tjetër që i priste dyshohet se janë larguar në drejtim të Fierit. Grupi hetimor, pasi verifikoi makinën e atentatorëve, zbuloi se targat ishin vjedhur po atë ditë që ndodhi ngjarja dhe i përkasin makinës së një punonjësi Policie, i cili e kishte lënë të parkuar në fshatin Novoselë. Ndryshe nga rastet e mëparshme, atentatorët këtë herë nuk e kanë lënë armën e krimit që të digjej bashkë me makinën, por e kanë marrë me vete. Policia sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një karburanti aty pranë, si dhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë. Po ashtu, është ushtruar kontroll në çdo makinë që hynte në Vlorë, por edhe në fshatrat Novoselë dhe Panaja.

Në automjetin e viktimës nuk është gjetur asnjë send i jashtëligjshëm, por është sekuestruar celulari i tij, i cili po verifikohet për të mësuar më shumë rreth komunikimeve të tij të fundit, apo për ndonjë element tjetër që mund të jetë në dobi të grupit hetimor. Ndërsa janë pyetur familjarët e tij, të cilët kanë dhënë deklarime për të vetmin konflikt që ka familja Bardhi, atë me familjen Reçi. Kjo ka sjellë shoqërimin e disa prej anëtarëve të kësaj familje në Rrëshen, të cilët, ashtu si edhe në ngjarjen e vitit 2023, kur u vra xhaxhai i Kristianit, Martin Bardhi, kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe më pas janë lënë të lirë. Viktima, ishte baba i një fëmije të mitur dhe sipas informacioneve ka qenë duke udhëtuar drejt Vlorës, tek disa të njohurit e tij.

VRASJA E VIKTOR BARDHIT

Mëngjesin e 3 shtatorit 2026, Viktor Marku (Bardhi) doli nga banesa për të kryer detyrën e tij si punonjës i Ujësjellësit të Mirditës. Kishte shkuar në Ndërfushas për të hapur furnizimin me ujë për disa fshatra të zonës. Rreth orës 08:30, pasi kishte përfunduar punën dhe ishte nisur me automjetin e tij, ai u qëllua me armë zjarri. Rreth 30 plumba u derdhën drejt automjetit. 65-vjeçari humbi jetën në vend, në një zonë vetëm pak metra larg Rrugës së Kombit. Një banor i zonës, i cili e kishte parë dhe përshëndetur Bardhin pak para atentatit, ka treguar se viktima nuk ruhej dhe se lëvizjet e tij ishin të zakonshme. Pikërisht kjo ka forcuar dyshimet e hetuesve se autorët mund të kenë pasur informacion të saktë për itinerarin e tij dhe ta kenë pritur në pritë. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe mbetje që dyshohet se i përkasin një silenciatori të prodhuar në mënyrë artizanale. Pozicioni i provave ka orientuar hetuesit drejt dyshimit se autorët mund të kenë ardhur nga Rruga e Kombit dhe, pas ekzekutimit, të jenë larguar në të njëjtën drejtim. Rreth 20 minuta pas vrasjes, në fshatin Munaz u raportua një automjet i përfshirë nga flakët. Policia e verifikoi atë si një nga pistat e mundshme të hetimit, por brenda mjetit nuk u gjetën armë apo prova të tjera që ta lidhnin drejtpërdrejt me ekzekutimin.

Një tjetër element që e vështirëson hetimin janë kamerat e sigurisë. Në hyrje të Ndërfushasit ka kamera, por nga këqyrja e pamjeve nuk është evidentuar ndonjë automjet që të kalojë në zonë në intervalin kohor kur dyshohet se është kryer vrasja. Edhe kontrolli i kamerave në hyrje-daljet e Rrëshenit nuk ka dhënë, deri tani, një gjurmë të qartë të mjetit të autorëve.

Për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ekzekutorët të kenë përdorur nënkalimin e Rrugës së Kombit ose të kenë kaluar në këmbë barrierat mbrojtëse, duke u larguar menjëherë nga vendi i atentatit. Një tjetër pistë është ajo e një automjeti tjetër që mund t’i ketë pritur autorët pas ekzekutimit.

Nëse kjo hipotezë rezulton e saktë, atëherë makina e djegur në Munaz mund të mos ketë qenë automjeti i përdorur për atentatin, por një mjet i përdorur për të humbur gjurmët ose për të devijuar hetimin. Në orët e para pas ngjarjes, Policia deklaroi se kishte persona të shoqëruar dhe se hetuesit kishin një motiv të dyshuar për vrasjen, por pa e bërë atë publik.

(Sinkron drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça)

“Jemi njoftuar përmes sallës operative për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushas, Mirditë dhe kemi ndërtuar grupin hetimor. Kemi ardhur në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar që një shtetas është vrarë në automjetin e tij. Shtetasi Viktor Marku, datëlindja 1961. Dhe ndërkohë që jeni edhe vetë prezent po bëhen të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes, në fshatin Rrejë, që është afër Rubikut, është djegur një automjet, ku është ngritur një grup hetimor i dytë dhe po sqaron rrethanat. Po kryhen të gjitha veprimet hetimore, po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët dhe do jemi për një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje. Kemi një të shoqëruar dhe pistë hetimi kemi, por nuk mund ta ndajmë në këtë moment. Armët nuk janë gjetur në makinë”.

Pista kryesore e hetimit mbeti ajo e hakmarrjes. Dhe nëse kjo pistë do të konfirmohet, vrasja e Viktor Bardhit merr një tjetër peshë në historinë e hakmarrjeve që kanë tronditur prej vitesh Rrëshenin. Sepse Viktor Bardhi nuk ishte thjesht një tjetër viktimë e një atentati. Ai ishte pjesë e një familjeje që, vetëm pak kohë më parë, kishte humbur edhe dy të afërm të tjerë në rrethana të ngjashme. Dhe kështu, një tjetër dosje vrasjeje shtohet në një histori ku autorët ende mungojnë.

HASMËRITË E RRËSHENIT

FAMILJET REÇI E GJINI

Vitet e fundit, qyteti i Rrëshenit është kthyer në një vatër shumë të nxehtë në zemër të veriut të vendit, sa i përket krimit të vrasjes. Madje shumë vrasje kanë qenë zinxhir hakmarrje e kanë pasuar njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik e pasiguri. Hakmarrje që më pas është shtrirë edhe në qytete të tjera. E ky zinxhir vrasjesh ka qenë kryesisht mes dy fiseve, Reçi dhe Gjini. Edhe pse në vitin 2023 doli në sipërfaqe, një hakmarrje e mundshme, që të gjithë e mendonin të varrosur e të harruar. Por disa nga krimet mes dy fiseve, kanë shënjuar edhe historinë e qytetit të Rrëshenit. Seriali i vrasjeve për hakmarrje ka nisur në vitit 2016 dhe nuk dihet me siguri se kur do të mbyllet dhe a do të mbyllet ndonjëherë.

Rrezikshmëria e disa eksponentëve nga Rrësheni, doli në skenë majin e vitit 2024, kur SPAK njoftoi goditjen e shtatë grupeve kriminale, njëri prej të cilëve drejtohej nga Elson Reçi. SPAK zbardhi edhe atentatin e vitit 2020 në zonën e njohur si ish-stacioni i fundit i “Tiranës së Re”, ku u hodh në erë makina me të cilën udhëtonte Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë në atë kohë. Në dosje thuhet se personi që kreu atentatin është nipi i Kastriot Reçit, Elson Reçi. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Elson Reçi informohej për objektivin nga zyrtari i policisë, Klodian Shahini, i cili u shpall në kërkim me vendim të Gjykatës së Posaçme.

VRASJA E SAJMIR JAKUT

Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE për Veriun, u vra më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë, edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia ka thënë se Sajmir Jaku është qëlluar me kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok. Pas vrasjes, autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në një fshat të Kurbinit, ku e kanë djegur dhe më pas janë larguar. Ngjarja mbeti e pasqaruar, edhe pse për hetimin e saj u angazhua Policia dhe Prokuroria me gjithë burimet e tyre njerëzore. Me dhjetëra veprime hetimore u kryen për disa muaj me radhë, por përfundimisht ngjarja ka mbetur pa autor. I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona.

VRASJA E GASPER REÇIT

Një tjetër krim që u dyshua se kishte lidhje me këtë serial hakmarrjeje ishte vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gasper Reçi, i cili u qëllua me katër plumba. Policia dyshonte se vrasja mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut. Viktima, Gasper Reçi, nga Rrëshëni, jetonte prej vitesh në Romë. Katër të shtëna me pistoletë, nga një distancë e afërt, dy në këmbë dhe 2 në kokë, i kanë marrë jetën menjëherë 43-vjeçarit shqiptar. Ngjarja ka ndodhur në zonën “Tor Vergata” të kryeqytetit italian dhe sipas Policisë lokale dyshohej të ishte një vrasje e mirëorganizuar dhe e studiuar më parë nga autorët. Viktima para se të qëllohej për vdekje ka qenë duke lëvizur në këmbë drejt shtëpisë së tij, ndërsa një automjet tip “Smart” e ka ndjekur pas deri pranë banesës. Makina i është afruar dhe autorët e kanë thirrur para se ta qëllonin. Në momentin që Gasper Reçi ka ndaluar dhe është kthyer përballë personave që ndodheshin në “Smart”, është qëlluar me armë zjarri. Ai ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa makina është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Sipas mediave italiane, në momentin që mjekët kanë mbërritur me ambulancë për t’i dhënë ndihmën e parë, nuk kanë mundur të bënin asgjë, pasi ai nuk kishte shenja jete. Ka qenë vajza e viktimës që ka lajmëruar Policinë, pasi ka dëgjuar të shtënat kur po priste të atin që të kthehej në shtëpi.

VRASJA E KRESHNIK GJINIT

Më 6 shtator të vitit 2017, 31-vjeçari Kreshnik Gjini, nga Mirdita, qëllohet për vdekje në Komunën e Forestit në Belgjikë. Gjini ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrjeje për ekzekutimin e Gasper Reçit në Romë. Në hetimet për vrasjen e Kreshnik Gjinit u përfshi edhe Policia shqiptare, pas ndihmës së kërkuar nga homologët belgë. Kjo për arsye se ngjarja, për nga dinamika dukej se nuk kishte motiv tjetër përveç hakmarrjes, lidhur me serialin e vrasjeve të ndodhura në Shqipëri. Një vajzë e identifikuar me emrin Kristina, e cila ka qenë e dashura e Kreshnik Gjinit, ka pohuar për policët belgë se daja i 31-vjeçarit ishte vrarë një vit më parë në Shqipëri. Bëhej fjalë për Sajmir Jakun. Në dëshminë që ajo kishte dhënë para hetuesve, kishte thënë se i dashuri i saj ndjehej i kërcënuar. Bazuar në dëshminë e saj, por edhe historinë e viktimës, hetuesit belgë dyshonin se vrasësit ishin shtetas shqiptarë, që mund të kishin vepruar për çështje hakmarrjeje.

VRASJA E ARMANDO GJINIT

Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. Për hetimin e vrasjes së 48-vjeçarit u ngritën disa pista, duke përfshirë fillimisht prishjen e pazareve të drogës. Ai njihej si pjesë e grupit të Met Kananit, i cili në atë kohë ishte i dyshuar nga drejtësia turke, si drejtues i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës. Një tjetër pistë ishin edhe borxhet. Vrasja e tij dyshohej se ishte realizuar nga njerëz me pagesë. Viktima, i njohur ndryshe si Tonin Gjini, ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes. Por hetuesit nuk përjashtonin as pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij ishte përfshirë në një konflikt të përgjakshëm vite më parë. Edhe kjo ngjarje vijon të mbetet pa autor.

VRASJA E KASTRIOT REÇIT

Mesditën e datës 7 janar 2020, Kastriot Reçi parkoi makinën e tij tip “Mercedes Benz” pas Pallatit të Kulturës në Rrëshen dhe do të shkonte te lokali i tij. Sapo doli nga makina, ai takoi një grua, e cila mbante një fëmijë për dore. 47-vjeçari është rrëzuar menjëherë në tokë kur është qëlluar, ndërsa arma me të cilën u krye vrasja dyshohet të ketë qenë e pajisur me silenciator. Personi që ekzekutoi nga një distancë të largët Kastriot Reçin, atë ditë ishte maskuar si një grua. Sipas burimeve të Policisë, ai mbante veshur një fustan dhe në kokë kishte vendosur paruke. I maskuar, ai është ngjitur në katin e shtatë të një pallati që ndodhet rreth 150 metra larg nga vendi ku u ekzekutua Reçi, duke u futur në një apartament ku nuk jetonte askush. Ky apartament ka rezultuar të jetë në pronësi të mikut të Tonin Gjinit, i njohur edhe me emrin Armando, gjithashtu i vrarë vitin 2019 në Rrëshen. Mënyra e ekzekutimit dhe zgjedhja pikërisht e këtij apartamenti i çoi hetuesit drejt pistës së hakmarrjes, pasi Reçi, edhe pse zyrtarisht asnjëherë e faktuar me prova, dyshohej të fshihej pas vrasjes së Tonin Gjinit në 12 gusht 2019.

Një qese kikirikësh, bishtat e cigareve dhe një ambalazh çokollate që ka lënë autori në apartamentin ku ishte vendosur për të ekzekutuar Reçin me snajper janë ekzaminuar dhe krahasuar me profilet e ADN-së së dhjetëra personave, por ende nuk është arritur që të zbulohet autori i krimit. Mënyra e ekzekutimit konsiderohet si një krim i realizuar me logjistikë dhe preçizion të lartë, nisur edhe nga snajperi që është përdorur, por edhe distanca e qitjes. Sipas burimeve, për këtë fakt janë verifikuar dhe ballafaquar me provat edhe efektivë dhe ish-efektivë policie, të cilët fillimisht u dyshuan se mund të kishin lidhje me këtë ngjarje të rëndë, por që asnjëri prej tyre nuk kanë rezultuar të jetë implikuar në krim. Hetuesit nuk e përjashtonin mundësinë që ekzekutori të jetë shtetas i huaj dhe pas ekzekutimit të jetë larguar përmes pikës doganore të Morinës.

ATENTATI NDAJ PRENG GJINIT

Ora nuk kishte shënuar ende 19:00, kur në Tiranë u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, që në fakt ndodhi mbi urën që ndodhet tek ish-Stacioni i Fundit i Tiranës së Re, por që u ndje pothuajse në të gjithë kryeqytetin. Ngjarja ndodhi më 5 shtator të vitit 2020. Një minë e telekomanduar, e vendosur në pjesën e poshtme të makinës që drejtonte Preng Gjini, nga Rrësheni, shpërtheu në momentin kur ai po udhëtonte mbi urën e lumit Lana. Brenda makinës, dëshmitarë të shumtë panë një person të gjakosur, drejtuesi i mjetit, i cili nuk po lëvizte për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë. Brenda pak sekondash, zona u rrethua nga forcat e Policisë dhe ambulanca u nis menjëherë drejt vendngjarjes. Menjëherë u konfirmua se personi brenda në makinë kishte shenja jete, edhe pse ndodhej në gjendje kritike dhe u nis me urgjencë drejt Spitalit të Traumës. Më pas erdhi edhe identifikimi i tij. I plagosuri ishte Preng Gjini, 50 vjeç, nga Rrësheni. E teksa Policia nisi verifikimet e menjëhershme për të mësuar më shumë rreth tij apo shkaqeve të ngjarjes, rezultoi se i plagosuri është vëllai i Armando Gjinit, i cili ishte vrarë një vit më parë në një atentat mafioz, brenda në makinën e tij. E nisur nga ky fakt, duket se pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është e njëjtë me atë që u hetua vrasja e vëllait të tij, paçka se për më shumë se një vit edhe ajo ngjarje ishte e pazbardhur.

Më 16 korrik 2026, një tjetër episod e rikthen emrin e Preng Gjinit në qendër të një hetimi për atentat. Këtë herë, ndërhyrja e Policisë së Shkodrës bëri që atentati i dyshuar të mos realizohej. Në flagrancë u arrestua 38-vjeçari Euglen Buraku. Ai u kap në zonën e Vaut të Dejës me lëndë plasëse të pajisur me mekanizëm shpërthimi në distancë. Gjatë kontrollit të telefonit të tij, hetuesit gjetën edhe një fotografi të Preng Gjinit. Detaji që ngriti dyshimet e hetuesve ishte pikërisht kombinimi i eksplozivit, fotografisë së objektivit dhe lëvizjeve të të dyshuarit në zonën ku u ndalua. Por hetimi nuk u ndal me kaq. Në dosje u përfshi edhe 34-vjeçari Eduard Përgjoka, i cili u shpall në kërkim. Në banesën e tij në Rubik u sekuestruan kapsolla detonatore, telefona celularë dhe fara kanabisi. Të dy këta persona po hetohen për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

VRASJA E ANTON KELIT

Anton Keli, 51 vjeç,  u qëllua me armë zjarri duke u plagosur rëndë e më pas humbi jetën në spital më 15 dhjetor të vitit 2020, në Rrëshen. Ai ishte kushëriri i vëllezërve Armando dhe Preng Gjinit, dy persona që rrjedhin nga një familje që prej vitesh është në hasmëri me fisin Reçi. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se 51-vjeçari ishte qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt dhe një nga plumbat e ka goditur në gjoks. Anton Keli jetonte vetëm me nënën në Rrëshen, ndërsa të gjithë familjarët e tjerë ishin në Gjermani. Lidhur me vrasjen e tij u shoqëruan në komisariat disa persona, por përfunduan duke u lënë të lirë pasi dhanë deklarime. Edhe kjo ngjarje dyshohet se ka lidhje me sagën e hakmarrjeve por vetë familja Reçi është tërhequr duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me këtë ekzekutim.

Për të gjitha krimet e ndodhura në Rrëshen, Tiranë e Vlorë, vetëm një dosje ka emër autori të dyshuar. Edhe ai, nuk lidhet me vrasjet e fundit, të Martin Bardhit në Rrëshen të nipit të tij, Kristian Bardhit në Vlorë apo edhe të Viktor Markut po në Rrëshen. Ai është Elson Reçi, vëllai i Saimir Reçit, që u sulmua me armë në mars të vitit 2023, njëkohësisht nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper. Elson Reçi ishte pjesë e një prej dosjeve më të rëndësishme të SPAK, që përmes zbardhjes së bisedave në platformën “SKY”, zbërtheu aleancat e grupeve kriminale. Ai është i dyshuar si organizator i vrasjes së mbetur në tentativë të Preng Gjinit në vitit 2020, në kryeqytet. Një personazh që në fakt nuk ka asnjë lidhje me familjen Bardhi, ku tashmë duket se flitet për një tjetër hasmëri.

Kjo dosje, pjesë e të cilës është edhe Elson Reçi, aq sa zbulon fijet që lidhin krimin në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Shijak e Rrëshen, tregon shumë edhe për nivelin e kriminalitetit. Tregon si lidhen aleancat e krimit. Gjithçka u zbulua në operacionin majit 2024 të SPAK, që zgjati 20 orë dhe u shtri brenda dhe jashtë Shqipërisë. U kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen. Elson Reçi, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe i dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj Preng Gjinit, u arrestua në Dubai në gusht 2024, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Por, pavarësisht kërkesës së autoriteteve shqiptare, ai nuk rezulton të jetë ekstraduar. Në janar 2025 u raportua madje për një arrestim të dytë të tij në Dubai. Kështu, edhe sot, dy vjet pas arrestimit të parë, statusi i ekstradimit të Elson Reçit mbetet një pikë e paqartë e kësaj dosjeje.

Në Rrëshen, sot ka përsëri qetësi. Makina kalojnë nëpër të njëjtat rrugë. Qytetarët ndjekin rutinën e tyre të përditshme dhe qyteti vazhdon jetën.

Por pas kësaj qetësie kanë mbetur tre emra. Martin Bardhi, Kristian Bardhi, Viktor Marku.

Tre burra të së njëjtës familje. Tri vrasje që Policia i ka lidhur me të njëjtën pistë. Hakmarrjen. Një konflikt që mendohej se ishte mbyllur pas 28 vitesh heshtje. Një konflikt që u rindez në vitin 2023 dhe që, në vend të një fundi, solli viktimën e parë. Pastaj të dytën. Pastaj të tretën.

Por ajo që e bën këtë histori edhe më të rëndë nuk janë vetëm viktimat. Është fakti se ende nuk ka një përgjigje. Kush i vrau? Kush urdhëroi? Kush i ndihmoi?

Por edhe pse pas kaq shumë kohe, askush nuk është ulur ende përballë drejtësisë për këto ekzekutime. Nëse këto janë vërtet vrasje hakmarrjeje, atëherë në Rrëshen do ketë ende pasiguri. A është mbyllur historia? Apo është vetëm në pritje të viktimës së radhës?

Sepse hakmarrja nuk ka nevojë për shumë fjalë. Mjafton një kujtim. Një konflikt i vjetër, plumbat dhe një familje tjetër që pret radhën. Në Rrëshen, dosjet mund të qëndrojnë të hapura. Por frika është se edhe hasmëria mund të jetë ende e hapur.

Të paktën deri ditën kur drejtësia të flasë me prova dhe emra konkret autorësh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!