Para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit doli sot për vlerësimin e figurës edhe gjyqtari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentian Medja.
Në drejtim të pasurisë, raporti i ILDKPKI vlerëson se gjyqtari Medja ka bërë deklarim të saktë e ka burime të ligjshme të ardhurash. Edhe nga hetimi i thelluar, KPK vlerësoi se gjyqtari nuk ka pasuri të padeklaruara apo të fshehura.
Ai ka një llogari bankare të pagës; një automjet tip Benz me vlerë 250 mijë lekë; ka kursime familjare bashkë me prindërit në vlerën 1 milion lekë. Pasuria e prindërve konsiston në një apartament 64 m2 në Shkodër, 72 aksione të babait në fabrikën e duhan-cigareve Shkodër në vlerën 75 mijë lekë, që nuk kanë krijuar të ardhura. Po sipas KPK, nuk ka pasaktësi në kontratën e qirasë së tij në zonën e “Don Boskos”.
Në drejtim të fugurës, DSIK raporton se gjyqtari Gentian Medja është i përshtatshëm për vijimin e detyrës. Lidhur me aftësitë profesionale, KPK thotë se është konstatuar mosrespektim i afateve ligjore për zbardhjen e vendimeve apo probleme në njoftimin e palëve.
Lidhur me këtë pretendim, gjyqtari Medja tha se shkak ka qenë ngarkesa e lartë në punë. Vendimi për anëtarin e gjykatës administrative Gentian Medja do jepet më 1 Gusht./abcnews.al