Afatet e paraburgimit për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj janë pezulluar me vendim të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion deri në datë 8 qershor, ditë e caktuar për zhvillimin e seancës së radhës gjyqësore në ngarkim të zyrtarit të lartë dhe të disa të pandehurve të tjerë.
Mungesa e 4 avokatëve në seancën e kësaj të marte u bë shkak për dështimin e zhvillimit të seancës, teksa prokurori Ols Dado i kërkoi trupës gjykuese të pezullohej paraburgimi i Veliajt, me argumentin se procesi gjyqësor po zvarritet për mungesë të mbrojtësve ligjorë.
Pavarësisht se qëndrimi i prokurorisë së posaçme u kundërshtua nga avokati Plarent Ndreca, me argumentin se kërkesa është antikushtetuese dhe e pabazuar, kjo nuk u mor parasysh nga togat e zeza.
Gjykata e Posaçme gjithashtu gjatë kësaj seance, rrëzoi kërkesën e mediave për praninë e kamerave gjatë gjithë seancës dhe për transmetimin në kohë reale të procesit.
Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha Lika, Erald Simixhiu, Linda Kazani, Valmir Xoxa dhe disa shoqëri po gjykohen me procedurë të zakonshme, të ndarë nga pjesa tjetër e të pandehurve.
Kryebashkiaku i Tiranës dyshohet nga prokuroria e posaçme se ka kryer veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mos deklarim pasurie”, “shpërdorim detyre” dhe “futje e sendeve të paligjshme në qeli”./abcnews.al



