Gega: Ishte ndeshje e sikletshme me Apoloninë! Partizani i titullit? Ishte ekip ndryshe

schedule19:02 - 5 Dhjetor, 2020

schedule 19:02 - 5 Dhjetor, 2020

Skënder Gega, trajneri i Kukësit, pas ndeshjes me Apoloninë, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Ju falënderoj fillimisht për mbështetjen. E hodha pas krahëve sëmundjen. Duhet të kemi kujdes. Jam me fat që jam në shtëpi dhe pranë ekipit. Doktori më ka thënë të vijoj me ilaçet, por ndihem mirë. Me zor kam pritur të jem pjesë e ekipit. Doja të isha pjesë e garës dhe pranë skuadrës”.

“E kisha me shumë siklet ndeshjen me Apoloninë. Kisha tre ndeshje larg dhe e kisha paralajmëruar ekipin se do të ishte ndeshje e vështirë. Lojtarët kanë marrë mësime. Kundërshtari qëndroi prapa. Më pëlqeu fakti që ekipi nuk u fut në panik. Normalisht kur nuk shënon bëhet e vështirë me ekipe të tilla”.

“Mbrojtja? Mendoj se fitorja me Vllazninë ishte kthesë e mirë, por nuk do të thotë që nuk do të ketë probleme. Ka mendime të ndryshme. Ekipi do kohën e vet, është thënë kudo. Menduam të jemi sulmues sot dhe kur thyheshin sulmet kishte hapësira. Goli t’i bën gjërat e lehta. Do mundohemi të gjejmë mënyrën e duhur të lojës. Jam i kënaqur që u larguam nga ai ngërç i fillimit dhe po rritemi”.

“Po shohim raste pafund që preken me COVID-19. Unë e kam kaluar dhe kam optimizëm. Adrenalina dhe emocionet më ndihmojnë. Kur jam trajner jam i përgatitur për çdo rast. Jam shmangur nga intervistat me dëshirën të jem unë pjesë e ekipit, jo ekipi pjesë e imja”, shtoi Gega.

“Rastet e humbura? Te Partizani ka pasur ndeshje të veçanta, ku na mbroheshin mirë. I shënuam Tiranës nga dy gola tre herë, edhe Teutës i shënonim. Kishte ekuilibër ai ekip, ishim të thjeshtë. Kemi një grup me kualitet sot, edhe Eze. Në Shkodër mund të shënonim edhe më shumë se katër gola. Normal na duhet punë, pasi jo në çdo ndeshje mund të kesh kaq raste. Kam një grup të mirë, me harmoni. Duheshin disa ditë njihemi. Është një rrugë e gjatë përpara”. /abcnews.al