Sondazh

Zvërneci, protestë për:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gati hapja e Hormuzit/ Në prag të marrëveshjes SHBA-Iran, ulet çmimi i naftës në bursa

schedule15:23 - 13 Qershor, 2026

schedule 15:23 - 13 Qershor, 2026

Një marrëveshje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës është në prag finalizimi dhe efekti më i rëndësishëm për ekonominë botërore do të jetë rihapja e Ngushticës së Hormuzit.

Diçka e tillë është konfirmuar nga vetë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili tha se krahas hapjes së Hormuzit do të ketë një heqje të bllokadës amerikane, ndërsa pas arritjes së memorandumit të mirëkuptimit, bisedimet për programin bërthamor të Iranit do të nisnin në një fazë të mëvonshme.

Bursat ndërkombëtare pasqyruan menjëherë atë çfarë po ndodh me diplomacinë në Lindjen e Mesme. Çmimet e naftës pësuan një tjetër rënie në nivelet e 3%, duke u luhatur nga 84 deri në 87 dollarë për fuçi.



Paralajmërimi i palëve se janë më pranë paqes se kurrë, nuk i ndali përshkallëzimet e vogla përgjatë mbrëmjes, pasi Shtetet e Bashkuara deklaruan se kishin rrëzuar disa dronë iranianë që ishin nisur drejt anijeve të tyre në Ngushticën e Hormuzit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Araghchi, bëri të ditur se brenda Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit ka mbështetës dhe kundërshtarë të kushteve aktuale të marrëveshjes, por ende nuk është marrë një vendim kolektiv. “Për momentin duhet të presim. Nëse miratohet, marrëveshja do të nënshkruhet në distancë”, tha ai.

Sipas zyrtarëve amerikanë, marrëveshja parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane ndaj transportit detar iranian. Më pas do të nisë një periudhë 60-ditore negociatash për çështjen e uraniumit të pasuruar të Iranit.

Zyrtarët amerikanë thanë se materiali i pasuruar do të shkatërrohej dhe më pas do të largohej nga vendi, megjithëse mekanizmi i saktë mbetet ende për t’u përcaktuar. Në aspektin ekonomik, SHBA-ja ka përjashtuar mundësinë e dhënies së fondeve apo lirimit të aseteve iraniane përpara përparimit konkret në negociata, duke lejuar Teheranin që maksimalisht vetëm të shesë naftën e tij.

Lufta në Lindjen e Mesme shpërtheu më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli kryen sulme në territorin iranian. Në përgjigje, Irani sulmoi Izraelin dhe shtete aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, ndërsa kufizoi kalimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!