Francë, gjiganti i biznesit nën akuzë për financim të terrorizmit

schedule21:52 - 28 Qershor, 2018

schedule 21:52 - 28 Qershor, 2018

Një prej grupeve më të mëdha të biznesit në Francë akuzohet nga autoritetet e këtij vendi për financimin e grupeve terroriste në Siri. Sipas hetuesve, kompania ka paguar fraksione të armatosura, që për të mbrojtur interesat e saj kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Një ndër kompanitë më të mëdha të çimentos në Francë ka përfunduar në lupën e aturoiteteve, nën dyshimin se ka financuar një grup terrorist në Siri. Bëhet fjalë për filialin francez të konsorciumit “LAFARZH-HOLSIM”, që mes të tjerash akuzohet edhe për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit dhe për vënien në rrezik të mijëra jetëve. Vitin e kaluar “LAFARZH” pranoi se në vitin 2011 kishte paguar disa grupe të armatosura për t’i garantuar funksionimin e një fabrike në veri të Sirisë, në një moment kur dhuna kishte arritur pikun. Sidoqoftë, bordi i kompanisë ka nënvizuar se do t’i kontestojë disa nga akuzat që i atribuohen. Sipas raportimeve të BBC, të paktën 8 ish-menaxherë të grupit gjigant të biznesit janë zyrtarisht nën hetim. Në 2017-n, një hetim i brendshëm i kompanisë kishte gjetur prova që vërtetonin hipotezën e autoriteteve dhe kishte zbuluar se për të mbrojtur fabrikën, fraksionet e armatosura kishin përdorur taktika të dhunshme. Asokohe, Siria ishte subjekt i sanksioneve të BE-së ndaj qeverisë së presidentit Bashar al Assad, që humbi kontrollin e shumë pjesëve të territorit përballë milicive. Fabrika u mbyll në vitin 2014 dhe një vit më vonë u krijua konsorciumi. “LAFARZH-HOLSIM” është një kompani globale, me 80 mijë të punësuar në rreth 80 vende të botës. /abcnews.al