Firmosi paktin me PD, Duka: Nuk ishte zemërgjerësi, e meritojmë minimumi një deputet

schedule13:47 - 14 Janar, 2021

schedule 13:47 - 14 Janar, 2021

Partia Agrare Ambientaliste synonte për minimalisht dy deputetë, por tashmë këto procese negociuese janë të mbyllura. Kështu është shprehur kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka në një bisedë me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC.

Duke, ditën e djeshme, ka nënshkruar një marrëveshjen me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Lideri demokrat ka pranuar që Duka të jetë në tre emrat e parë të listës së koalicionit në qarkun e Durrësit, praktikisht te pjesa fituese.

Lexo edhe: Firmosi i pari paktin me Bashën, Duka flet për ABC: Në Durrës te lista fituese

Në 11 qarqet e tjera të vendit, PAA-ja do të ketë kandidatë në çdo qark, por jo në listën fituese.

Kreu i PAA, sqaroi se Basha nuk u tregua zemërgjerë duke e “shpërblyer” partinë me një deputet pasi dogji mandatet e doli nga parlamenti, por shtoi se partia e tij e meriton vendin që i është dhënë.

“…Nuk jemi në situatën e 2017. Sot u bënë ndryshime kushtetuese dhe jemi përballë këtij fakti. Koalicionet lejohen, por ndryshon forma…Ne kishin aspirata për minimalisht dy deputetë. Nëse dalin vetëm, mandatin tim në Durrës e merrja mbi 90 për qind, në qarqe ato vota digjeshin. Këto kanë qenë procese negociuese, jo se Basha u tregua zemërgjerë, meqë dolëm nga parlamenti. Në kemi votat tona. Janë aksionet tona, që e meritojmë minimumi një mandat deputeti të sigurt. Ne na takoshin dy, sipas asaj që mendoj unë. Gjithsesi tani këto kanë marrë fund.”

Agron Duka tha se PAA do të punojë fort edhe në qarkun e Fierit ku shtoi se aty kandidat do të jetë  Eduart Sharka. Ndërsa në Tiranë do të kandidojë Arben Tafaj.

“Do tentojmë edhe në qarqe të tjera si Shkodra. Ne bashkojmë aksionet tona që të arrijmë qëllimin strategjik që i kemi vënë vetes.”

Sa i përket programit të kësaj partie, Duka tha se ai përputhet me të dyja partitë, si PS ashtu edhe PD, pasi “është klishe dhe nuk ka nevojë të shpiket gjë. Duhet t’i imponohemi qeverisë që t’i kthejë sytë nga bujqësia.”

Duka foli edhe për Ramën, për të cilin tha se pas disa vitesh kur të dëgjojë veten dhe ato që ka thënë do t’i vijë zor.

“Këtë e bën pushteti i gjatë. Edhe te vetmja ime e kam parë. Kur mendoj, më dukej vetja më i mençur se të tjerët. Ka plot të tjerë PS që janë të suportueshëm.” s.b/abcnews.al/