Falsifikim dokumentesh dhe trafik të qenieve njerëzore, 41 të arrestuar

schedule14:35 - 15 Maj, 2018

schedule 14:35 - 15 Maj, 2018

Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me operacionin e koduar “272” gjatë të cilit u arrestuan në total 41 persona, shqiptarë e grekë, të cilët akuzohen për falsifikim të pasaportave dhe vizave. Sipas hetimeve drejtuesit e grupit merrnin deri 20 mijë euro për person të trafikuar, shqiptar ose të huaj për të shkuar në SHBA, Britani ose Kanada.

Një grup i strukturuar kriminal që merrej me falsifikimin e pasaportave dhe vizave duke dërguar emigrantë në SHBA, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar, u shkatërrua në kuadër të operacionit të koduar “272”.

Gjithsej u prangosën 41 shtetas shqiptarë, grekë dhe kombësive të tjera, mes tyre 2 punonjës policie.

Këto janë disa nga bazat laboratorike të zbuluar në Shqipëri. Siç duket nga pamjet e servirura nga policia e Shtetit, ka të instaluar, skaner dhe printera të cilësisë së lartë, për të falsifikuar pasaporta të Bashkimit Europian.

“U zbuluan dhe sekuestruan 7 laboratorë  në Greqi dhe 4 në Shqipëri  për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme dhe një sasi e madhe parash cash, pasaporta biometrike të BE-së të falsifikuara.

Sot janë arrestuar 17 persona, mes tyre dy policë”.

Sipas numrit një të policisë, Ardi Veliu, hetimet kishin nisur në 2016, pas referimit të Policisë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Nga hetimet rezultoi se dy krerët e grupit të strukturuar kriminal, Gentjan Stojku dhe Ilir Myrtaj përfitonin nga 20 mijë euro për pajisjen me viza e pasaporta.

 “Pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar. 

Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia“. 

 Policia njoftoi se për 17 personat e arrestuar në territorin e Shqipërisë ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”./abcnews.al